Hasan Tosun
15 Dhjetor 2015•Përditësim: 15 Dhjetor 2015
VJENË (AA) – Presidenti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Yukiya Amano deklaroi se për kompletimin e marrëveshjes për programin bërthamor nevojiten përpjekje konkrete, duke u bërë thirrje palëve që të përmbushin detyrat e tyre në kuadër të marrëveshjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Amano ka folur në takimin e Këshillit Drejtues të IAEA-së në zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë.
Ai tha se Irani në periudhën para vitit 2003 ka kryer aktivitete lidhur me zhvillimin e bombës bërthamore, por se këto aktivitete nuk kanë kaluar në kuadër të punës shkencore dhe teknike.
Amano i bëri thirrje Iranit që të përfundojë me përgatitjet e nevojshme për implementimin e marrëveshjes për programin bërthamor, të arritur në korrik të këtij viti me gjashtë fuqitë botërore, dhe urgjentisht të sigurojë financimin e aktiviteteve shtesë që ndërmerren nga IAEA.
“Kemi bërë hapa të rëndësishëm kur është në pyetje çështja e programit bërthamorë të Iranit, por tani nuk është koha për relaksim. Ky problem ka një rrugë historike të gjatë dhe të komplikuar. Doemos duhet të zgjidhim çështjen e mosbesimit mes Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha Amano.
Presidenti i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka shtuar se: “Të gjitha palët doemos duhet të përmbushin detyrat në kuadër të marrëveshjes për programin bërthamor. Nevojiten përpjekje konkrete të cilat janë të domosdoshme për përmbushjen e marrëveshjes”.