Hüseyin Erdoğan
29 Tetor 2017•Përditësim: 29 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Angazhimet e ndërmarra nga Irani lidhur me çështjen e programit bërthamor po zbatohen, bëri të ditur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Zotimet e ndërmarra nga Irani janë duke u zbatuar dhe se Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) përfaqëson një përfitim të qartë nga pikëpamja e verifikimit", konfirmoi drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Yukiya Amano, sipas një deklarate me shkrim nga agjencia.
Për të ardhmen, ai theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të angazhimeve për programin bërthamor nga Irani, në mënyrë që të bëjë të qëndrueshme JCPOA-në.
Deklarata erdhi pas takimit të Amano-s me Presidentin iranian, Hassan Rouhani, zëvendëspresidentin dhe presidentin e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Akbar Salehi dhe ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif, në kryeqytetin e vendit, Teheran, më 29 tetor.
Që nga janari i vitit 2016, agjencia ka verifikuar dhe monitoruar zbatimin e zotimeve të Iranit në lidhje me çështjen e programit bërthamor, në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA), siç kërkohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe i autorizuar nga Bordi i Guvernatorëve të IAEA-së.
Sipas deklaratës "Aktivitetet e verifikimit dhe monitorimit të IAEA-së zhvillohen në mënyrë të paanshme dhe objektive dhe në përputhje me modalitetet e përcaktuara nga JCPOA dhe praktikat standarde të mbrojtjes".