Erdoğan Çağatay Zontur
10 Shtator 2020•Përditësim: 10 Shtator 2020
Një udhëheqës i milicisë që lufton për komandantin puçist libian, Khalifa Haftar, ka marrë trajtim mjekësor në Gjermani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abdurrahim al-Kani, i cili drejton një milici me vëllezërit e tij, akuzohet për rrëmbim, torturë dhe vrasje të civilëve në qytetin jugperëndimor të Libisë, Tarhuna, raportoi e përditshmja "Suddeutsche Zeitung", duke shtuar se ai gjithashtu akuzohet për kryerjen e sulmeve me bomba në kryeqytetin Tripoli dhe në zona të tjera civile.
Al-Kani u trajtua në janar dhe shkurt të këtij viti në Spitalin Universitar të Bonit pasi u plagos në një shpërthim në qytetin veriperëndimor Misrata të Libisë, thuhet në raport. Prokuroria Federale dhe Zyra Federale e Krimeve u informuan për qëndrimin e Al-Kani në Gjermani dhe akuzat ndaj tij.
"Në Tarhuna u zbuluan tetë varreza masive, në të cilat ishin të paktën 230 trupa pasi forcat qeveritare rimorën qytetin në qershor, ndërsa milicia e Al-Kanit iku", thuhet në raport.
Më tej, shtohet se Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut caktoi një komision hetimor për varret masive, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kërkoi që të kryhej një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent ndërsa autorët të nxirreshin para drejtësisë.
Sipas raportit, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se Al-Kani mori vizën gjermane në vitin 2017 dhe ai u lejua të hynte në Gjermani për trajtim të kancerit.
Më tej, theksohet se Al-Kani, i cili vazhdoi masakrat e tij pas kthimit në Tarhuna, drejtoi personalisht rrëmbimin e tre grave nga një familje dhe se gratë u vranë pasi u torturuan.
Gjithashtu është vërejtur se autoritetet gjermane, Universiteti i Bonit dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk pranuan të jepnin deklarata lidhur me këtë çështje.
Libia është zhytur në konflikt të brendshëm pasi operacionet e NATO-s çuan në rrëzimin e ish-udhëheqësit disa dekadësh Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Qeveria e re u themelua katër vjet më vonë në vitin 2015 nën marrëveshjen e udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë deri më tani kanë dështuar për shkak të sulmeve të komandantit jolegjitim Khalifa Haftar.
Që nga prilli i vitit 2019, forcat e Haftarit kanë nisur sulme për pushtimin e Tripolit dhe pjesëve të tjera të Libisë veriperëndimore, duke rezultuar në më shumë se 1.000 të vdekur, përfshirë civilët. Haftar ka mbështetjen e EBA-së, Egjiptit dhe Rusisë, ndërsa qeveria e njohur nga OKB gëzon mbështetjen e Turqisë dhe Katarit.