Fatjon Cuka
27 Gusht 2018•Përditësim: 27 Gusht 2018
DURRËS (AA) - Kryeministrat e disa vendeve të rajonit u mblodhën në Durrës për takimin informal me temë “Integrimi i ekonomisë rajonale”, ndërsa në fokus të diskutimeve të tyre ishin edhe çështjet që lidhen me integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në përfundim të takimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komisioneri evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe kryeministrat pjesëmarrës mbajtën një konferencë për mediat, duke u ndaluar në çështjet e bashkëpunimit rajonal, sidomos për integrimin ekonomik, ecurinë e procesit të Berlinit, etj.
Rama tha gjatë fjalës së tij se është zhvilluar një takim i dobishëm duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë sipas tij të gjitha aspektet e këtij procesi.
"Kemi diskutuar më gjerësisht për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kemi folur për iniciativat që janë në proces, si dhe për turizmin, ku në të gjithë rajonin ka pasur shifra më të mira këtë vit, por mundësia për të bërë më shumë ekziston. Kemi folur për bujqësinë dhe rritjen e shkëmbimeve në këtë aspekt. Iniciativë më e afërt drejt realizimit është ngritja e qendrës për zhvillimin e qëndrueshëm teknologjik në Malin e Zi, iniciativë që mbështesim fuqimisht", tha kryeministri i Shqipërisë.
Komisioneri Hahn theksoi se në takim është diskutuar për integrimin ekonomik në rajon dhe se çfarë është realizuar deri tani.
“Ajo çfarë është realizuar deri tani është mbresëlënëse. Tregtia në vendet e rajonit është rritur shumë. Është e rëndësishme të theksojmë që kur flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri dhe Maqedoni është bërë shumë progres që ka çuar në konkluzionet e Këshillit Evropian sa i përket përgatitjes për negociatat e pranimit. Është e rëndësishme gjithashtu të theksohet se kemi dhënë një dritë jeshile për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian ta trajtojnë këtë çështje brenda një periudhe të shkurtër dhe ta fillojnë zbatimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, u shpreh Hahn.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh gjatë konferencës për mediat se Kosova po e kryen pjesën e saj për të ndihmuar njësimin ekonomik në rajon.
"Kemi vështirësi për lirinë e lëvizjes. Kemi ende vështirësi për qarkullim të lirë në Serbi, po ashtu edhe në Bosnje, ndërsa për të komunikuar me Kroacinë na duhen viza. Kjo e bën më të vështirë jetën ekonomike. Më lehtë e kemi marrëdhënien me Shqipërinë, ku në gjysmën e dytë të nëntorit do të kemi takimin e përbashkët të dy qeverive”, theksoi kryeministri i Kosovës.
Lidhur me çështjen për debatin rreth kufijve, Haradinaj tha se “Kosova i ka kufijtë e saj, i ka me Shqipërinë, me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë dhe duhet të respektojmë kufijtë që kemi".

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, theksoi se është e rëndësishme të përmbushen angazhimet që janë marrë përsipër në kuadër të procesit të Berlinit për ndërlidhjen rajonale.
“Sot kishim një vlerësim të rezultateve të arritura. Vendosëm dhe ramë dakord që plani i veprimit duhet të jetë axhenda që na mban në lëvizje të gjithëve në mënyrë që ekonomitë tona të rriten më shumë”, tha kryeministri malazez.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiç nuk ishin pjesë e takimit në Durrës.
Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të Bankës Botërore, si dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri.