Erkan Avci
05 Qershor 2016•Përditësim: 06 Qershor 2016
PHOENIX (AA) – Spitali në qytetin Phoenix në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndërroi jetë legjenda e boksit Muhammed Ali u shndërrua në qendër të vëmendjes mediatike, raporton Anadolu Agency (AA).
Qyteti është përfshirë nga hidhërimi dhe dhimbja nga shkaku se ka humbur njërin nga sportistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i cili u trajtua në spital ditë më parë me probleme të frymëmarrjes.
Muhammed Ali të shtunën ndërroi jetë në moshën e tij 74 vjeçare, ndërkohë që fansa të shumtë nga dita e djeshme kanë filluar të tubohen para spitalit, ku disa prej tyre kishin marrë me vete fotografi të boksierit legjendar, ndërsa disa të tjerë kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj në shenjë nderimi.
Disa nga fansat e tubuar para spitalit kishin varur një mbishkrim me thënien e Alisë “fluturoj rreth kundërshtarit si flutur, ndërsa shpoj si grenzë” e disa të tjerë kishin varur dorëza boksi. Shumë nga fansat e tij nuk mund të mbanin lotët nga dhembja se bota ka humbur një kampion të madh.
Punonjësi sportiv nga Scottsdale, Keanny Hajen, deklaroi se Ali nuk ka qenë njeri që është marrë vetëm me sport, por se në të njëjtën kohë ka arritur të fitojë zemrat e shumë njerëzve me veprimtarinë e tij jashtë sportit.
“Jam rritur me boksin. Mendoj se Ali nuk ishte shembull vetëm për botën sportive, por edhe për fushat e tjera. Në cilësi të njeriut që merret me sport mund të them se ka qenë personalitet i jashtëzakonshëm. Nuk më besohet se nuk është në mesin tonë. U preftë në paqe”, tha Hajen.