Ekip
14 Shkurt 2021•Përditësim: 15 Shkurt 2021
Libani filloi fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), ndërsa të parët që u vaksinuan ishin një mjek i repartit të kujdesit intensiv dhe një humorist i famshëm 93-vjeçar, raporton Anadolu Agency (AA).
Libani filloi fushatën e vaksinimit një ditë pasi pranoi dërgesën e parë prej 28.500 dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech nga Brukseli. Më shumë dërgesa pritet në javët e ardhshme.
Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Hamad Hassan, tha se 450 mijë qytetarë aplikuan për vaksinim.
Libani udhëhiqet nga një qeveri kalimtare që nga vera e kaluar pasi kryeministri Hassan Diab dha dorëheqje pas shpërthimit të madh në muajin gusht në Bejrut ku humbën jetën më shumë se 200 persona dhe u plagosën mijëra të tjerë.
Sektori privat po negocion ndaras për më shumë vaksina.
Libani, me më shumë se 6 milionë banorë, ka regjistruar rreth 337 mijë raste me COVID-19 dhe 3.961 persona kanë humbur jetën.