Mohamed Sabry Emam Muhammed
11 Qershor 2017•Përditësim: 11 Qershor 2017
TRIPOLI (AA) – Pas pesë vitesh të kaluara në burg, është liruar djali i ish-liderit të Libisë, Muammar al-Gadafi, Saif al-Islam Gadafi, raporton Anadolu Agency (AA).
Grupi militant, Brigada Abu Bakr al-Seddiq, përmes një njoftimi bëri të ditur se Saif al-Islam është liruar të premten dhe se tani ka lënë qytetin libian Zintan, në burgun e të cilit kishte qëndruar nga nëntori i vitit 2011, atëherë kur me një kryengritje popullore u përmbys dhe u vra babai i tij Muammari.
Në njoftim bëhet e ditur se djali i ish-liderit libian është liruar me një amnisti të Parlamentit të qeverisë libiane në Tobruk.
Shumë institucione përfshirë ushtrinë e Libisë kanë dënuar lirimin e Saifa al-Islamit të cilën e kanë cilësuar si një akt tradhtie.
Al-Islam ka qenë djali i preferuar i ishliderit të Libisë dhe gjatë kohë ishte paralajmëruar për pasardhës të tij në krye të shtetit.
Pas përmbysjes dhe vrasjes së Gadafit në vitin 2011, djali i tij Saif al-Islam u kap duke tentuar të arratiset në Nigerin fqinj.
Në një proces gjyqësor Saif al-Islam u dënua me vdekje, ndërsa organizatat joqeveritare dhe Kombet e Bashkuara vlerësuan se procesi gjyqësor ka pasur një sërë lëshimesh për çka kërkuan një rigjykimin.
Libia vazhdon të mbetet e kapluar nga një krizë e thellë politike dhe të sigurisë, si pasojë e veprimit të grupeve të shumta militante dhe tre qeverive paralele, një në Tobruk, një në Tripoli dhe një tjetër që është qeveria e njohur ndërkombëtarisht, Qeveria e Unitetit Kombëtar.