Ekip
16 Shkurt 2017•Përditësim: 16 Shkurt 2017
KUALA LUMPUR (AA) – Policia malajziane njoftoi të enjten se janë arrestuar dy femra dhe një mashkull në lidhje me vdekjen e Kim Jong-nam, gjysmë-vëllait të liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia malajziane të enjten më herët njoftoi se ka arrestuar edhe femrën tjetër që lidhet me vdekjen e Kim Jong-nam, gjysmë-vëllait të liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un.
Zyrtari i policisë Abdul Samah deklaroi se, përveç dy të dyshuarave, të mërkurën në mbrëmje është arrestuar edhe një shtetas i Malajzisë, për të cilin besohet se ishte partner i të dyshuarës së dytë.
Kryeinspektori i policisë Khalid Abu Bakar tha se e dyshuara e dytë posedonte dokumente udhëtimi të Indonezisë me emër Siti Aishah (25), të cilat aktualisht janë duke u shqyrtuar.
"Ajo gjithashtu është identifikuar me ndihmën e pamjeve të kamerave të sigurisë në aeroport, kurse në momentin e arrestimit ishte e vetme", tha Bakar.
Ministria e Punëve të Jashtme e Indonezisë ka konfirmuar se Siti Aishah është shtetase e saj dhe se zyrtarët në atë vend kanë kërkuar qasje konsullore deri te e dyshuara.
"Pas verifikimit, Ambasada e Indonezisë i ka kërkuar qasje konsullore Qeverisë së Malajzisë për të ofruar ndihmë dhe për t'i siguruar të drejtat ligjore shtetases së Indonezisë", thuhet në deklaratë.
Jong-nam vdiq të hënën, pasi dyshohet se ishte helmuar derisa ishte duke pritur për fluturim në aeroportin ndërkombëtar në Kuala Lumpur.
E dyshuara e parë, e cila posedonte dokumente vietnameze me emrin Doan Thi Huong (29), u arrestua të mërkurën në momentin kur po përpiqej të hipte në aeroplanin për në Vietnam.
Bakar tha se të dyshuarat në paraburgim do të mbahen të paktën një javë.