Felix Nkambeh Tih
21 Gusht 2020•Përditësim: 21 Gusht 2020
Një lëvizje e madhe opozitare në Mali ka përshëndetur dorëheqjen e presidentit të rrëzuar të vendit si dhe shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare dhe të qeverisë pasi oficerët ushtarakë morën pushtetin më herët këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim për media, platforma Tubimi i Forcave Patriotike, e njohur po ashtu si M5-RPF tha se ndërhyrja e ushtrisë ka përfunduar luftën e popullit të Malit, i cili bëri thirrje për dorëheqjen e presidentit Ibrahim Boubacar Keita dhe administratës së tij.
Lëvizja M5-RPF e 5 qershorit është grupi kryesor që udhëhoqi protestat muajt e kaluar në Mali, duke bërë thirrje që Keita të tërhiqet.
Këtë javë, liderët e grusht shtetit ushtarak u zotuan se do të mbajnë zgjedhje "të besueshme" dhe njoftuan krijimin e Komitetit Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP) për të mbikëqyrur një periudhë tranzicioni politik.
Nga ana e saj, M5-RPF tha se ka "marrë shënime" për angazhimin e CNSP-së për të filluar një "tranzicion politik civil" në Mali.
Lëvizja i bëri thirrje Komunitetit Ekonomik të Afrikës Perëndimore (ECOWAS), Unionit Afrikan (AU) dhe komunitetit ndërkombëtar që të kuptojnë më mirë situatën në Mali dhe të mbështesin popullin.
Lëvizja në njoftim po ashtu paralajmëroi një tubim të madh pasditen e sotme në Sheshin e Pavarësisë në kryeqytetin Bamako.
Kombet e Bashkuara (OKB) dje kërkuan që sa më shpejt të rivendoset "rendi kushtetues dhe demokratik". Ajo po ashtu bëri thirrje për lirimin e Keita-s dhe të të arrestuarve të tjerë, për "mbrojtjen e integritetit të tyre fizik si dhe të anëtarëve të familjeve të tyre".
Keita njoftoi dorëheqjen pasi së bashku me kryeministrit Boubou Cisse u dërguan në kampin ushtarak Kati, që ndodhet rreth 15 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Bamako.
Mali tashmë disa muaj është tronditur nga protestat, ku kërkohet dorëheqja e presidentit.