Fatma Esma Arslan
18 Gusht 2020•Përditësim: 18 Gusht 2020
Mësohet se në Mali, i cili duke luftuar me krizën politike që nga muaji maj, janë dëgjuar armë zjarri nga një garnizon afër kryeqytetit Bamako dhe se automjetet ushtarake po lëviznin drejt kryeqytetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që AA ka siguruar nga burimet lokale, në garnizonin Soundjata në qytetin Kati, 15 kilometra larg Bamakos, janë dëgjuar të shtëna me armë, ndërsa që nga orët e mëngjesit në vend ka ndodhur aktivitet ushtarak.
Në Bamako janë mbyllur të gjitha dyqanet, bizneset dhe ndërtesat publike, ndërsa po ashtu aktualisht po mbizotëron paniku dhe frika mes banorëve të qytetit.
Siç raportohet, automjetet ushtarake po përparojnë nga Kati në Bamako dhe rrugët për në garnizon janë bllokuar.
Burimet e sigurisë kanë konfirmuar se mundësia për një grusht shteti ushtarak është e fortë.
Nga ana tjetër, sipas raporteve të mediave lokale, Ambasada e Norvegjisë në Bamako gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të saj në rajon që të jenë të kujdesshëm për shkak të veprimtarisë ushtarake.
Po ashtu, Ambasada e Francës u sugjeroi qytetarëve francezë që jetojnë në Bamoko “të qëndrojnë në shtëpi për shkak të trazirave serioze".
Nga ana tjetër, në mediat lokale pretendohet se disa ministra dhe ushtarë të rangut të lartë janë arrestuar nga një grup ushtarësh.
Kampi ushtarak Kati luajti rol të rëndësishëm në grushtin ushtarak kundër ish-presidentit Amadou Toumani Toure në vitin 2012.
Grupet e opozitës kanë organizuar protesta kundër presidentit Ibrahim Boubacar Keita që nga maji.
Grupet e opozitës kanë thënë se do të shtonin protestat dhe se nuk do të tërhiqeshin para se Keita të jepte dorëheqjen.