Aldıjana Hadzıc
23 Maj 2017•Përditësim: 24 Maj 2017
MANCHESTER (AA) – Pjesëtarët e forcave të sigurisë të Mbretërisë së Bashkuar kanë evakuuar sot qendrën tregtare Arndale, në Manchester, pas sulmit të mbrëmshëm terrorist në këtë qytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendra tregtare është evakuuar për shkak të mundësisë për një sulm të ri. Para përfundimit të koncertit të pop yllit Ariana Grande në Manchester Arena mbrëmë ndodhi një shpërthim i fuqishëm në të cilin humbën jetën të paktën 22 persona, ndërsa 59 të tjerë u plagosën.
Policia britanike është duke kryer hetim mbi këtë rast, ndërsa sot në mëngjes u njoftua se bëhet fjalë për sulm terrorist të cilin e kreu një sulmues vetëvrasës.
Ndërkohë organizata terroriste DEASH ka marrë përsipër sulmin në sallën e koncerteve Arena në Manchester të Britanisë së Madhe. Një llogari në rrjetet sociale e cila njihet si e organizatës terroriste, ka publikuar mesazhin se një person ka përdorur më shumë se një bombë në këtë sulm.
Policia britanike ka arrestuar një 23 vjeçar të dyshuar për lidhje me sulmin e mbrëmshëm terrorist.
Shumë vende të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë SHBA-të, Gjermaninë, Francën, Turqinë, Kanadanë dhe vendet e Ballkanit si dhe organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe NATO dënuan sulmin në Manchester.