Nazmi Abduramani
23 Maj 2017•Përditësim: 23 Maj 2017
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov me rastin e sulmit terrorist në Manchester, i dërgoi mesazh ngushëllimi mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar, Elizabeta II, duke u shprehur se Republika e Maqedonisë dënon ashpër dhe u kundërvihet sulmeve terroriste dhe është solidare me Mbretërinë e Bashkuar në luftën kundër terrorizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Me tronditje dhe indinjatë pranova lajmin për sulmin brutal në Manchester, në të cilin humbën jetën një numër i madh i personave të pafajshëm, ku ka edhe shumë të lënduar. Në këto momente të rënda të pikëllimit të thellë, më lejoni që të shpreh ngushëllim ndaj familjeve të viktimave nga ky akt i tmerrshëm dhe anticivilizues, ndërsa të lënduarve t’u dëshiroj rikuperim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Maqedonisë.
Më tej thuhet se nevojitet unitet, bashkëpunim maksimal dhe vendosmëri në luftën kundër të gjithë atyre forcave që përmes dhunës dhe terrorit dëshirojnë të fusin frikë dhe urrejtje, me pas duke shkatërruar të gjitha fitimet civilizuese.
Rikujtomë se në Manchester të Britanisë së Madhe gjatë shpërthimit të mbrëmshëm në koncertin e Ariana Grande në Manchester Arena, humbën jetën 22 persona. Shefi i policisë Ian Hopkins deklaroi sot në mëngjes se sulmin e ka kryer një sulmues vetëvrasës i cili aktivizoi mjetin shpërthyes, ndërsa hetimi vazhdon mbi këtë ngjarje që trajtohet si sulm terrorist.