Övünç Kutlu
11 Prill 2018•Përditësim: 12 Prill 2018
NEW YORK (AA) - I përballur me pyetje rreth rrjedhjes më të keqe të të dhënave në historinë e kompanisë, bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, dëshmoi të martën para 44 senatorëve amerikanë, raporton Agency (AA).
Zuckerberg dëshmoi në seancën "Facebook, privatësia e medias sociale dhe përdorimi dhe keqpërdorimi i të dhënave", të organizuar bashkarisht nga Komiteti i Drejtësisë pranë Senatit dhe Komiteti i Tregtisë, Shkencës dhe Transportit.
Kryetari i Komitetit Gjyqësor nga radhët e Partisë Republikane, senatori Chuck Grassley, e quajti seancën "unike", duke shtuar se nuk është sekret që Facebook përfiton përmes reklamave duke përdorur të dhënat, edhe pse shumë njerëz duken të hutuar ose nuk janë në dijeni rreth kësaj.
"Facebook fitoi 40 miliardë dollarë në vitin 2017, prej të cilave rreth 98 për qind vijnë nga reklamat", tha ai.
Kryetari i Komitetit të Tregtisë, senatori republikan John Thune, vuri në dukje se dy miliardë njerëz përdorin Facebook-un në baza mujore ndërsa 1.4 miliardë e përdorin atë çdo ditë.
"Shtrirja e jashtëzakonshme e Facebook-ut është arsyeja pse ne jemi këtu sot. Unë nuk jam i bindur se përdoruesit e Facebook-ut kanë informacionin që u duhet për të bërë zgjedhje të rëndësishme", tha ai.
SHBA raportoi se javën e kaluar 87 milionë informacione private të përdoruesve të saj janë përdorur pa pëlqim nga kompania për analizimin e të dhënave Cambridge Analytica me bazë në Britani të Madhe.
"Është e qartë tani që nuk kemi bërë mjaft për të parandaluar që këto vegla të përdoren për të shkaktuar edhe dëm. Kjo vlen edhe për lajmet e rreme, ndërhyrjet e huaja në zgjedhje dhe gjuha e urrejtjes", dëshmoi Zuckerberg.
"Nuk i kemi vështruar mirë përgjegjësitë tona dhe kjo ka qenë gabim i madh. Ishte gabimi im dhe më vjen keq. Kjo përfshin përgjegjësinë themelore për të mbrojtur informatat e njerëzve, të cilën ne kemi dështuar ta bëjmë me Cambridge Analytica", shtoi ai.
Zuckerberg tha se Facebook tani është duke kryer një hetim të plotë për çdo aplikacion që ka qasje në sasi të mëdha të informacionit.
"Unë besoj se është e rëndësishme t'u tregohet njerëzve saktësisht se si do të përdoret informacioni që ata e ndajnë në Facebook", theksoi drejtori ekzekutiv i Facebook.
Ai tha se kur Facebook kuptoi në vitin 2015 se Cambridge Analytica ka përdorur të dhënat e përdoruesve të rrjetit social, kompania ka hequr aplikacionin që ka shkaktuar këtë rrjedhje.
"Ne e konsideruam atë një çështje të mbyllur. Nuk është dashur ta dëgjojmë rreth kësaj. Kjo është arsyeja pse ne nuk e njoftuam Komisionin Federal të Tregtisë", tha ai.
Zuckerberg u shpreh se Facebook është duke u zhvilluar gjithnjë e më shumë mjete që mund të identifikojnë klasa të caktuara të aktivitetit të keq në mënyrë proaktive. "Këtë vit do të kemi 20.000 njerëz që punojnë në shqyrtimin e sigurisë dhe përmbajtjes", deklaroi Zuckerberg.
Ai pranoi se Facebook ka qenë i ngadalshëm në identifikimin e operacioneve ruse në vitin 2016 dhe tani ka vendosur mjete të reja të inteligjencës artificiale që bëjnë një punë më të mirë në identifikimin e llogarive të rreme që mund të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhje ose të përhapin keqinformimin.
Cambridge Analytica është asocuar me fushatën e presidentit Donald Trump në vitin 2016, ndërsa kompania e të dhënave thuhet të ketë përdorur të dhëna nga Facebook për të ndërhyrë në zgjedhje.
"Ne kemi ofruar mbështetje për fushatën e Trump në mbështetjen e shitjeve ashtu siç kemi bërë me fushatat e tjera", tha Zuckerberg.
Ai pranoi se Facebook është thirrur nga zyra e këshilltarit të posaçëm Robert Mueller. "Disa punonjës të Facebook janë intervistuar nga zyra e Muellerit. E di që po punojmë me ta", tha ai.
Zuckerberg tha se Facebook do të verifikojë identitetin e çdo reklamuesi të vetëm i cili zhvillon reklamë politike ose të lidhur me çështjen.
"Kjo do t'i bëjë shumë më të vështira përpjekjet e ndërhyrjes ruse dhe përpjekjet e tjera që po përpiqen të përhapin keqinformimin", shtoi ai.
Ndryshe, drejtori ekzekutiv i Facebook-ut do të përballet me Dhomën e Përfaqësuesve të mërkurën.