Ekip
11 Nëntor 2018•Përditësim: 12 Nëntor 2018
ADDIS ABEBA (AA) – Mbi dhjetë mijë njerëz morën pjesë në vrapimin e së dielës në kryeqytetin etiopian Addis Abeba, me të cilin u kremtua paqja e sapo arritur mes Eritresë dhe Etiopisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mysafiri i nderit i kësaj gare sportive ishte këngëtari dhe shkrimtari i famshëm i Etiopisë, Tedros Kassahun (Teddy Afro), i cili që nga vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, përmes këngëve të tij, ka bërë thirrje për unitet, paqe dhe dashuri midis Eritresë dhe Etiopisë.
Eritrea u nda nga Etiopia në vitin 1993. Në periudhën e viteve 1998 - 2000, të dy vendet u përfshinë në një konflikt shkatërrues i cili mori jetët e mbi 70 mijë njerëzve.
Garuesit mbushën sheshin Meskel në qendër të Addis Abebës, të veshur me bluza të cilat kishin flamujt e Etiopisë dhe Eritresë, ndërsa gara është nga eventet më të mëdha që kur dy vendet përmirësuan dhe rivendosën marrëdhëniet diplomatike me një tempo të përshpejtuar, që i dha fund marrëdhënieve të tensionuara dy dekadëshe.
"Është një ditë shumë e lumtur për popujt e të dyja vendeve, prandaj dëshiroj të falënderoj Zotin që më mundësoi të përjetoj këtë ditë", tha për AA, 79 vjeçari Tilahun Masresha.
Ai rrëfeu se ka punuar si mësues në Ambikatala të Eritresë, në kohën kur dy vendet ishin bashkë. "Kurrë nuk do të duhej të ishim ndarë" tha ai, duke bërë me gisht nga bluza e tij në të cilën shkruante "Jemi një."
Të enjten, presidenti i Eritresë, Issaias Afeëorki, i shoqëruar nga presidenti somalez, Mohamed Abdullahi Mohamed, vizitoi shtetin rajonal Amhara në Etiopi, ku takuan kryeministrin e atij vendi, Abiy Ahmed, në vazhdën e Deklaratës së Bashkëpunimit Gjithëpërfshirës, të cilën treshja e nënshkroi në shtator të këtij viti në kryeqytetin e Eritresë, Asmara.