Mustafa Melih Ahıshalı
22 Shtator 2025•Përditësim: 22 Shtator 2025
Më shumë se 70 anëtarë të Parlamentit në Iran kërkuan prodhimin dhe posedimin e armëve bërthamore, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, më shumë se 70 anëtarë nënshkruan një letër të shkruar nga deputeti i Mashhadit, Hassan Ali Akhlaqi Amiri, drejtuar presidentit iranian Masoud Pezeshkian, kryetarit të Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe kryetarit të Gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni Ejei.
"Fetvaja e vitit 2010 e udhëheqësit të vendit Ali Khamenei, e cila i shpallte armët bërthamore 'haram', kishte të bënte me përdorimin e tyre. Prodhimi dhe posedimi i armëve bërthamore, për sa i përket parandalimit, është diçka krejtësisht tjetër", thuhet në letër.
Letra vë në dukje se Izraeli dhe vendet kolonialiste nuk e njohin të drejtën ndërkombëtare dhe thekson nevojën për të rishqyrtuar doktrinën mbrojtëse të Iranit. Udhëheqësi iranian Khamenei lëshoi një fetva më 12 dhjetor 2010, duke ndaluar përdorimin e armëve bërthamore.
Pas sulmit të Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Damask më 1 prill 2024, disa politikanë në vend pretenduan se fetvaja e Khameneit mund të ndryshojë dhe se Irani mund të zhvillojë armë bërthamore.
Më 13 qershor 2025, Izraeli nisi sulme 12-ditore ndaj Iranit, duke shënjestruar personelin ushtarak të rangut të lartë, shkencëtarët bërthamorë dhe objektet bërthamore. Që atëherë, kërkesat për zhvillimin e armëve bërthamore në vend janë rritur.
Parlamenti i Iranit numëron 290 deputetë.