İnci Gündağ,Tayfun Salcı
21 Dhjetor 2016•Përditësim: 21 Dhjetor 2016
LONDËR (AA) - TAYFUN SALCI / İNCİ GÜNDAĞ
Zëdhënësi i koalicionit ndërkombëtar kundër organizatës terroriste DEASH kolonel John Dorrian, duke theksuar se pjesën më të madhe të operacionit në Rakka të Sirisë do ta përbëjnë arabët, tha se “E shohim dhe e pranojmë rolin e Turqisë (në Siri). Siguria e Turqisë është definitivisht pjesë kyçe e kësaj. Turqia prej më shumë se 50 vitesh është aleat i yni në NATO dhe ne në këtë aleancë e vlerësojmë partneritetin”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kolonel Dorrian, zëdhënës i operacionit “Vendosmëria e pandarë (Inherent Resolve)” ka zhvilluar intervistë me gazetarin e AA-së në Londër.
Duke dhënë informacione në lidhje me gjendjen e fundit në operacionin e çlirimit të Mosulit nga organizata terroriste DEASH, Dorrian tha se operacioni po avancon hap pas hapi. “Pjesa më e madhe e avancimit është shënuar në krahun lindor. Presim të ketë avancime edhe në boshtet e tjera dhe të arrihet në qytetet, ndërsa më pas ta çlirojmë lindjen e vendit. Aktualisht, gjysma e lindjes së qytetit është çliruar. Nën kushte shumë të rrezikshme, po zhvillohet luftë e vështirë në çdo rrugë”, tha Dorrian.
Dorrian u shpreh se ende vazhdon operacioni ndaj qytetit Rakka që njihet si qendra e DEASH-it në Siri, duke shtuar se në operacionin e filluar në nëntor deri më tani nga organizata është çliruar sipërfaqe prej 800 kilometrash katrorë.
Ndërkaq, në lidhje me operacionin "Mburoja e Eufratit" në të cilin Forcat e Armatosura Turke po mbështesin njësitet e Ushtrisë së Lirë Siriane, Dorrian vlerësoi se “Operacioni Mburoja e Eufratit po i ofron shërbim madhështor koalicionit ndërkombëtar. Operacioni po sjell siguri në rajon, ndërkohë që po ashtu ka krijuar presion të madh ndaj armikut.”
Sipas Dorrian, operacioni "Mburoja e Eufratit" ka izoluar DEASH-in. “Armiku tanimë nuk po mund të marrë përforcime. Atyre u janë bllokuar hyrjet dhe daljet për në Evropë. Shumë fshatra dhe qyteza me rëndësi historike, përfshirë Dabikun, janë çliruar me operacionin e Turqisë”, vazhdoi Dorrian.
Duke tërhequr vëmendjen ndaj rëndësisë së Dabikut si vend të cilin DEASH e sheh si vend ku do të zhvillohet lufta e ditës së gjykimit dhe të cilin e ka përdorur gjerësisht për propagandë, Dorrian u shpreh se “Forcat turke e çliruan lehtësisht këtë qytet së bashku me partnerët në operacion. Me këtë, u rrënua një pjesë e propagandës së DEASH-it. Emri i revistës së tyre të propagandave ishte Dabik, emër të cilin u detyruan ta ndërrojnë.”
Në pyetjen se a do të ketë këmbëngulje për shfrytëzimin në operacionin në Rakka të forcave të PYD/YPG-së, që kanë lidhje me PKK-në e cila ka rritur sulmet terroriste në Turqi, Dorrian u përgjigj: “Po e vazhdojmë punën me Forcat Demokratike të Sirisë (SDF). Forcat SDF brenda vetes kanë një element të rëndësishëm arab. Mendojmë se forca që do ta çlirojë Rakkan duhet të ketë aftësi të përshtatshme përfaqësimi të strukturës demografike të Rakkas dhe për këtë arsye mendojmë se forca që do ta çlirojë qytetin do të duhet të dominohet nga arabë sirianë.”
“Për këtë qëllim, SDF vazhdon të shtojë arabë brenda vetes dhe t’i trajnojë”, u shpreh Dorrian, për të shtuar më tej se “Kjo është një temë të cilën vazhdojmë ta diskutojmë edhe me qeverinë turke. Qëllimi është të rritet numri i arabëve. Është e rëndësishme që forca që do të hyjë në qytet të pranohet nga popullata e tij. Ne jemi duke e vazhduar dialogun tonë me qeverinë turke për planin që do ta çlirojë qytetin. Sepse ne e shohim dhe e pranojmë rolin e Turqisë. Siguria e Turqisë është definitivisht pjesë kyçe e kësaj. Turqia prej më shumë se 50 vitesh është aleat i yni në NATO dhe ne në këtë aleancë e vlerësojmë partneritetin.”
Dorrian më tej shprehu ngushëllimet e tij dhe pikëllimin nga sulmet terroriste në Turqi.
Në pyetjen se a do të japin mbështetje forcat e koalicionit në avancimin e Turqisë në Munbixh pas El-Babit në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit", Dorrian u përgjigj se “Ne i vazhdojmë bisedimet tona përmes kanaleve diplomatike me partnerët e koalicionit, përfshirë edhe Turqinë, aleatin tonë të NATO-s i cili defenitivisht është pjesë kyçe e aleancës. Në lidhje me të gjitha këto çështje, ne do të vazhdojmë punimet së bashku në fazat në vijim. Fokusimi në mposhtjen e DEASH-it besojmë të jetë i rëndësishëm, mirëpo ne e kuptojmë edhe rëndësinë që Turqia ia sigurisë në pjesën siriane të zonës kufitare.”
Ai u shpreh se do ta vazhdojnë bashkëpunimin me Turqinë për mënjanimin e shqetësimeve për sigurinë kufitare.
Në pyetjen se si do të ndikojë marrja e qytetit të Halepit nga forcat e regjimit në luftën e koalicionit kundër DEASH-it, Dorrian u përgjigj: “Po e shohim se regjimi i Sirisë dhe Rusia që e mbështet atë janë fokusuar në Halep. Kjo njëkohësisht është arsyeja për të cilën Palmira sërish kaloi në duar të DEASH-it. DEASH nuk u mjaftua vetëm me kapjen e këtij vendi, por ai ka marrë nën kontroll më shumë njerëz dhe ka kapur armë. Kjo paraqet rrezik si për ne, ashtu edhe për forcat turke."
Duke theksuar se kjo gjendje është e papranueshme, Dorrian njoftoi se forcat e koalicionit në operacionin kundër DEASH-it kanë asgjësuar 14 tanke, dy bateri dhe disa armë për mbrojtje ajrore, të cilat organizata i kishte rrëmbyer nga regjimi i Sirisë.
Dorrian shtoi se forcat e koalicionit nuk do të lejojnë që DEASH të fitojë kapacitet dhe të ruajë një kapacitet që do të përbënte rrezik për ta.