Ekip
05 Shkurt 2020•Përditësim: 05 Shkurt 2020
Forcat franceze të sigurisë kanë larguar 427 persona dhe kanë shkatërruar 266 tenda në një vendbanim ilegal në Porte de la Villette përgjatë kanalit Saint-Denis, në përpjekje për të larguar migrantët nga pjesa veriore e Parisit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia ka filluar operacionin dje në ora 06:00 sipas kohës lokale dhe kampi u pastrua në ora 08:00.
Migrantët, katër prej të cilëve janë gra, me autobusë u transferuan në qendrat e strehimit dhe gjimnazet në rajonin e Ile de France. Pothuajse të gjithë migrantët ishin nga Eritrea dhe Somalia.
Kampet u mbyllën pas direktivave të ministrit të Punëve të Brendshme, Christophe Castaner në nëntor për të mbyllur të gjitha kampet e paligjshme të migrantëve në qytet.
"Evakuimi në Porte de la Villette u jep fund kampeve që paraqisnin rrezik sanitar për zonën dhe rrezik të sigurisë si për ata që ishin në kampe, ashtu edhe për banorët", thonë nga policia e Parisit përmes një postimi në rrjetet sociale.
Javën e kaluar, shefi i policisë në Paris, Didier Lallement, në një deklaratë përsëriti nevojën për t'i dhënë fund kampeve, për të cilat tha se vazhdojnë të rindërtohen.
"Ne nuk do të përsërisim një cikël të pafund të evakuimeve dhe zhvendosjeve", tha ai.
Një kamp i madh u mbyll në Calais në vitin 2016, i cili shkaktoi rritjen e popullsisë së refugjatëve që vendoseshin në Paris në bulevardin "Peripherique" në periferi të qytetit.