Mehmet Hatipoğlu
28 janar 2016•Përditësim: 28 janar 2016
ATHINË (AA) - Punonjësit e sektorit të medias në Greqi sot filluan grevën 24-orëshe kundër ndryshimeve të cilat qeveria planifikon ti realizojë në kushtet e sigurisë sociale, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të grevës e cila me thirrjen e Federatës së Gazetarëve në Greqi (POESY) filloi sot në orën 06:00, kanalet televizive shtetërorë dhe private, agjencitë e lajmeve dhe radiot ndërprenë transmetimin e lajmeve.
Gjatë grevës ueb faqet kryesisht të lajmeve u rinovuan me vonesë dhe nesër raftet e gazetashitësve do të mbeten të zbrazëta sepse sot punonjësit e shtypit ditor nuk kanë punuar.
Ndryshimet dhe taksat shtesë të cilat qeveria në kuadër të reformave planifikon ti realizojë në kushtet e sigurisë sociale, po shkakton reagime të forta në të gjitha shtresat e shoqërisë në Greqi.
Për të protestuar mbi projektligjin i cili është përgatitur nga Ministria e Punës për të cilin dje ka filluar diskutimi në parlament, avokatët, shkencëtarët, noterët, punëtorët e sektorit shëndetësor, punonjësit e porteve detare përsëri po hidhen në greva, ndërsa fermerët me traktorët e tyre vazhdojnë bllokimin e rrugëve të qytetit.
Qeveria greke njofton se të ardhurat e institucioneve të sigurimeve shoqërore nuk janë në gjendje të paguajnë pensionet, ndaj bëri thirrje që mospajtimet kundër ligjit të ri të sigurimeve shoqërore të zgjidhen përmes dialogut.
Nga ana tjetër, fermerët dhe grupet e vetëpunësuar pretendojnë se ligji në fjalë do të çojë deri në fund të karrierës së tyre dhe në katastrofë ekonomike ndaj kërkuan anulimin e plotë të tij.