Ekip
25 Tetor 2022•Përditësim: 26 Tetor 2022
Autoritetet meksikane konfirmuan tre të vdekur dhe dëme mesatare pas goditjes së uraganit Roslyn, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet njoftuan se në mesin e tre të vdekurve, dy gra humbën jetën nga rrëshqitjet e dheut në shtetin Nayarit.
Komisioni Shtetëror për Ujëra i Meksikës (CONAGUA) njoftoi se Roslyn, uragani i kategorisë së tretë, të dielën herët mbërriti në brigjet perëndimore të vendit.
Duke regjistruar erëra të fuqishme që arrinin shpejtësinë 209 kilometra në orë, shërbimet meteorologjike paralajmëruan se shirat e dendur në shtetet Nayarit, Sinaloa, Durango dhe në pjesën veriore të Jalisco mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu dhe përmbytje, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Meksikan njoftoi se intensiteti i uraganit ishte zbehur në një stuhi tropikale deri në orën 13:00 me orën lokale të së dielës.
Pas goditjes së uraganit, qeveria meksikane dërgoi oficerë ushtarakë, pjesëtare të marinës dhe pjesëtare të Gardës Kombëtare për të ndihmuar popullsinë e prekur, veçanërisht në shtetin Nayarit.
Koordinatorja Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Laura Velazquez, tha se autoritetet evakuuan banorët nga zonat me rrezik më të lartë në strehimoret e përkohshme të ngritura nga qeveria lokale.