Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq dhe kryetari i Parlamentit të Ukrainës (Verkhovna Rada), Ruslan Stefanchuk, hapën në Zagreb Samitin e Parë Parlamentar të Platformës së Krimesë, takimin më të madh të drejtpërdrejtë të këtij viti të kryetarëve të parlamenteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Jandrokoviq dhe Stefanchuk pritën në sallën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Zagreb kryetarët e delegacioneve të Samitit të Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë.
Kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, tha se Kroacia është krenare që ka arritur të organizojë këtë samit së bashku me Ukrainën në Zagreb.
"Forca dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas sot është një objekt admirimi në botë", tha Jandrokoviq, duke shtuar se shpirti i popullit ukrainas i kujton atij shpirtin e popullit kroat të tridhjetë viteve më parë.
Ai theksoi se nuk duhet të "habitemi nga ndjeshmëria e veçantë kroate për luftën e Ukrainës", as dëshira e tyre për të ndihmuar, në aspektin humanitar, financiar, teknik, politik dhe në të gjitha mënyrat e tjera.
"Pozicioni i sotëm ndërkombëtar i Republikës së Kroacisë tregon qartë se edhe pas vuajtjeve më të rënda mund të ecim përpara fuqishëm", tha Jandrokoviq.
Ai përkujtoi se veprimet e Rusisë bënë që dy shtete të aplikojnë për anëtarësim në NATO dhe se askush nuk duhet të ketë dyshime se në cilën anë të qëndrojmë në këtë konflikt.
Ai beson se Rusia po tregon shenja dëshpërimi dhe se e gjithë bota po shikon heroizmin e popullit ukrainas. "Të mos lëkundemi duke ndihmuar Ukrainën deri në fitoren përfundimtare", tha Jandrokoviq.
- Stefanchuk: Parlamenti i Ukrainës për të riintegruar me sukses ato zona pas luftës
Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, shprehu kënaqësinë e tij që ishte në Zagreb me delegacionin ukrainas, ku siç tha, ndjeu një pritje të ngrohtë. Ai tha se takimi inaugurues do të jetë i frytshëm.
"Ne ndjekim rrugën tuaj, të dashur pjesëmarrës. Në këtë takim Ukraina ka një përfaqësim të madh. Iniciativa e nisur nga Presidenti Zelenskyy është pranuar gjerësisht dhe po përhapet gjeografikisht. Ju parlamentarët e keni pranuar dimensionin parlamentar. Rrugët e platformës parlamentare, jo vetëm në aspektin e Ukrainës, por edhe ndërkombëtarisht janë qëllimet e sigurisë, që është de-okupimi i gadishullit të Krimesë dhe kthimi i tij në integritetin ukrainas", tha Stefanchuk.
Stefanchuk shtoi se Ukraina po kalon kohët më të këqija në historinë e saj dhe shprehu besimin se populli i tij në fund do të ketë sukses.
"Kjo platformë flet për kthimin e Krimesë në Ukrainë. Nuk po flasim vetëm për territorin e pushtuar, por po flasim për atë që do të ndodhë më pas. Verkhovna Rada e Ukrainës po punon për të riintegruar me sukses ato zona pas luftës, për të çmilitarizuar Gadishullin, për të parandaluar zhvillimin e mëtejshëm të gjithçkaje. Kemi një vizion të lëvizjeve të domosdoshme. Besoj se në të ardhmen do ta realizojmë këtë plan. Ukraina dëshiron paqen", tha Stefanchuk.
- Plenkoviq: Mesazhi ynë i parë është të themi qartë se Krimeja është Ukrainë
Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, shprehu mbështetjen e fuqishme të Kroacisë për Ukrainën.
Siç tha ai, konferenca po mbahet ndërkohë që vazhdojnë sulmet brutale vetëvrasëse me dronë në Ukrainë, "për të shkaktuar sa më shumë dëme para dimrit".
"Populli ukrainas ka treguar se është i fortë, se nuk do të lejojë që të sulmohet identiteti i tij, kur i vendosen etiketat e nazifikimit, por ata kanë treguar vendosmërinë e tyre për të luftuar për lirinë dhe integritetin e tyre territorial", tha Plenkoviq.
Ai theksoi se sot nga Zagrebi duan të dërgojnë tre mesazhe: "Mesazhi ynë i parë është të themi qartë se Krimeja është Ukrainë, se Donetsku dhe Luhansku janë Ukrainë. Mesazhi i dytë është që ju si deputetë të mbështesni kolegët tuaj në Verkhovna Rada, të cilët vazhdimisht punojnë nën sulme, e udhëheqin vendin në rrethana kaq të vështira drejt së ardhmes evropiane. E treta, u mblodhëm për t'i dhënë një mesazh të fortë rendit botëror, i cili bazohet në të drejtën ndërkombëtare, në parimet e qeverisjes globale".
Ai konsideron se të jesh në anën e Ukrainës është një akt moral dhe ligjor, ndërsa e kundërta do të thotë të jesh kundër të gjitha parimeve demokratike.
"Prandaj, të dashur miq, ne në Kroaci, që e dimë se çfarë është agresioni, çfarë është forca, e vlerësojmë jashtëzakonisht luftën e Ukrainës për liri. Na vjen mirë që Evropa dhe bota nuk i përsëritën gabimet e 30 viteve më parë kur ne si vend nuk e kishim këtë mbështetje", tha Plenkoviq.
Në fund, ai tha se "ukrainasit e guximshëm janë moralisht fitimtarë" dhe përshëndeti përparimet që bënë në muajt e fundit.
Në Samitin, i pari i drejtpërdrejtë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, marrin pjesë shumë kryetarë të parlamenteve të vendeve që kanë nënshkruar Platformën e Krimesë dhe parlamente të tjera.
Pjesë samitit janë edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiye-s (TBMM), Mustafa Şentop, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe shumë të tjerë.