Hasan Esen
19 Qershor 2017•Përditësim: 19 Qershor 2017
BRUKSEL (AA) – Bashkimi Evropian për krizën mes të Katarit dhe disa shteteve arabe bën thirrje për uljen e tensioneve dhe fillimin e dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së u takuan në Luksemburg. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në një deklaratë para takimit tha se gjatë këtij takimi do të diskutojnë edhe për krizën në Katar. Duke vënë në dukje se çdo tension duhet të zgjidhet në tavolinën e dialogut, Mogherini tha se, “Nuk duhet të merren hapat e njëanshëm. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve për uljen e tensionit dhe hyrjen në dialog të drejtpërdrejtë”.
Mogherini po ashtu theksoi se BE-ja ka një interes të drejtpërdrejtë nga bashkëpunimi mes vendeve të Gjirit dhe se të gjitha këto shtete janë partnerë të Brukselit në ekonominë dhe luftën kundër terrorizmit. “Rajoni tanimë është mjaft i brishtë”, tha ajo.
Zyrtarja e BE-së shtoi se “Për këtë arsye ne i ftojmë të gjithë për të diskutuar çdo tension dhe mosmarrëveshje, në mënyrë politike për gjetjen e një rruge të zgjidhjes, nëpërmjet dialogut në tavolinë, pa rritjen e tensioneve".
Arabia Saudite, EBA-të, Egjipti, Bahreini dhe Jemeni më 5 qershor deklaruan ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin të cilin e akuzojnë për destabilizim të rajonit dhe mbyllën hapësirën ajrore për Katarin, si dhe urdhëruan të gjithë diplomatët e Katarit të lëshojnë vendet në fjalë në afat prej 48 orësh. Po ashtu, Arabia Saudite i mbylli Katarit edhe kufirin e vetëm tokësor.
Kurse Katari thekson se “po i ekspozohet një fushate shpifjesh plotësisht të montuar, e cila ka për qëllim dëmtimin e këtij shteti”.