Ömer Aydın
19 Qershor 2017•Përditësim: 20 Qershor 2017
PARIS (AA) - Në raundin e dytë të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë që u mbajtën të dielën, aleanca e kryesuar nga Lëvizja Marshi Republikan (LREM-MoDem) e presidentit Emmanuel Macron ka siguruar shumicën në Kuvendin Nacional, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas rezultateve të zgjedhjeve, 424 kandidatë do të hyjnë për herë të parë në Kuvendin Nacional të Francës, me çka 75 për qind e Kuvendit do të ketë anëtarë të rinj.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme, aleanca LREM-Lëvizja Demokratike (MoDem) ka fituar 350 deputetë, duke siguruar shumicën në Kuvendin Nacional me 577 vende.

Aleanca e kryesuar nga qendra e djathtë Partia Republikane (LR-UDI-DVD) ka ngelur me 137 deputetë, kurse ajo e kryesuar nga Partia Socialiste (PS) arriti të nxjerrë vetëm 45 deputetë.
Nga ana tjetër, partia e ekstremit të djathtë Fronti Nacional (FN) ka siguruar vetëm tetë ulëse, kurse aleanca në të cilën ndodhet lëvizja Franca e Papërkulur e majtistit ekstrem Jean-Luc Melenchon do të përfaqësohet nga 27 deputetë.
Zgjedhjet u dalluan për nga shkalla e ulët e pjesëmarrjes. Rreth 57,36 për qind e elektoratit nuk shfrytëzoi të drejtën e votimit, ndërsa kjo paraqet pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje të përgjithshme në historinë e Francës. Në të njëjtën kohë, zgjedhjet u karakterizuan me 6,93 për qind të të ashtuquajturave vota të bardha, ose vota proteste.
Pjesëmarrja e ulët është përcjellur nga fakti se lëvizja e Macronit, e cila siguroi 350 nga gjithsej 577 ulëse, ka marrë vetëm 8 milionë e 927 mijë e 222 vota nga gjithsej 47 milion e 292 mijë e 967. Kjo gjendje tregon se aleanca LREM-MoDem ka siguruar shumicën me vetëm 18,88 për qind të elektoratit.
- Le Pen për herë të parë në Kuvend
Liderja e partisë së ekstremit të djathtë Fronti Nacional, Marine Le Pen, arriti që për herë të parë të zgjidhet deputete dhe të hyjë në Kuvendin Nacional. Le Pen, e cila deri më tani është zgjedhur deputete në Parlamentin Evropian (PE), ka arritur që me shtatë ulëse të siguruara të sigurojë sukses në emër të ekstremit të djathtë francez.
"Është skandaloze që nuk do të mund të formojmë grup parlamentar në kuvend", ka thënë Le Pen në një deklaratë për mediat pas shpalljes së rezultateve, duke bërë thirrje që të bëhen punime që grupet parlamentare të formohen sipas numrit të votave, e jo sipas numrit të deputetëve.
Ajo ka pohuar më tej se Macron dhe ekipi i tij kanë marrë detyrën për ta tërhequr Francën drejt katastrofës. "Ne jemi forca e vetme që rezistojmë kundër shpërbërjes së Francës", ka shtuar Le Pen.
- Edhe Korsika arrin të hyjë në Kuvend
Ndërkohë, për herë të parë në historinë e Francës tre kandidatë që mbrojnë pavarësinë e Ishullit të Korsikës, anëtarë të partisë "Pe a Corsica" (Për Korsikën), kanë siguruar ulëset në kuvend, pasi deri më tani nuk kishin arritur të bënin një gjë të tillë.
Bëhet fjalë për Michel Castellani, Jean-Felix Acquaviva dhe Paul-Andre Comombani, të cilët japin përpjekje për pavarësinë e Ishullit të Korsikës dhe kanë ide separatiste.
Ishulli i Korsikës, i cili ndodhet nën Francën dhe gjendet në veri të Ishullit të Sardenjës, që nga vitet e 60-ta ushtron përpjekje për pavarësi.
- Disfata e së majtës
Partia Socialiste mori disfatën më të rëndë në historinë e saj, duke u bërë viktimë e politikave të gabuara gjatë mandatit të Hollande. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Jean-Christophe Cambadelis, pas shpalljes së rezultateve pranoi dështimin dhe deklaroi dorëheqjen.
"E pranoj me qetësi përgjegjësinë time", tha ai në deklaratën për media në selinë e partisë, duke uruar Macronin për fitoren, siç tha, të padiskutueshme, por megjithatë duke pohuar se shumica absolute e siguruar nga Macron në Kuvend nuk reflekton të vërtetat sociale dhe politike të Francës.
Ai e theksoi nevojën qe e majta në Francë t'i nënshtrohet një ndryshimi themelor.
- Edhe ekstremi i majtë me reagime
Jean-Luc Melenchon, lideri i lëvizjes Franca e Papërkulur që përfaqëson ekstremin e majtë në Francë, tërhoqi vëmendjen mbi pjesëmarrjen e ulët në votime. "Një pakicë e ngushtë fitoi tërë forcën. Unë shoh energji te kjo shumicë e cila nuk ka votuar. Kjo energji mund të dalë në pah dhe të shndërrohet në përpjekje" theksoi Melenchon.
Melenchon, i cili në zgjedhje hyri në aleancë me Partinë Komuniste të Francës (PCF), me 27 deputetë të fituar siguroi të drejtën për të formuar grup parlamentar.
- Shumë politikanë të shquar mbeten jashtë Kuvendit
Shumë figura të shquara të politikës franceze, në mesin e të cilëve gjenden edhe katër kandidatë që në qeverinë paraprake ishin ministra, kanë humbur zgjedhjet.
Në e këtyre politikanëve ndodhen ministrja e Shëndetësisë gjatë mandatit të Hollande, Marisol Touraine, ministri i Arsimit Najat Vallaud-Belkacem dhe ministrja e Punës Myriam El Khomri.
Ndërkaq, ish-kryeministri Manuel Valls ka siguruar fitoren me diferencë prej 139 votash.
- Kabineti i ri shpaloset këtë javë
Me përfundimin e zgjedhjeve, kabineti i kryesuar nga Edouard Philippe sot do të parashtrojë dorëheqjen, për t'u formuar qeveria Philippe 2, e cila pritet të caktohet nga Macron brenda dy ditëve.
Më 27 qershor do të emërtohet kryetari i ri i Kuvendit, ndërsa më 4 korrik, kryeministri Philippe do t'i adresohet pjesëtarëve të ri të kuvendit, për ta shpalosur programin qeveritar.