Rafiu Oriyomi Ajakaye
27 Shkurt 2019•Përditësim: 28 Shkurt 2019
Presidenti aktual i Nigerisë, Muhammadu Buhari ka fituar zgjedhjet presidenciale të zhvilluara të shtunën, duke mbledhur 15.191.847 vota për të kaluar rivalin e tij më të afërt, i cili mori 11.262.978 vota, raporton Anadolu Agency (AA).
Buhari, 76 vjeç, fitoi shumicën e votave në 19 prej 36 shteteve të vendit duke mbledhur minimumin kushtetues prej 25 për qind të votave në të paktën 34 shtete dhe kryeqytetin federal Abuja.
"Muhammadu Buhari ka fituar më së shumti vota dhe ka përmbushur të gjitha dispozitat ligjore, andaj e shpall fitues të zgjedhjeve presidenciale”, tha sot herët në mëngjes kryetari i Komisionit të Lartë Zgjedhor, Mahmud Yakubu.
Buhari betimin solemn do ta japë dhe mandatin e ri në krye të Nigerisë do ta fillojë më 29 maj.
Në incidente gjatë zgjedhjeve në Nigeri janë vrarë së paku 16 persona.
Opozita u ankua për një varg parregullsish, mirëpo shumica e delegacioneve vëzhguese në raporte theksuan se procesi zgjedhor ka qenë transparent dhe i suksesshëm.