Ekip
05 Tetor 2016•Përditësim: 05 Tetor 2016
HANOI (AA) – Ndotja e ajrit në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, ka arritur në situatë kritike meqë matjet e së mërkurës flasin se qyteti është i dyti në rrafsh botëror për sa i përket nivelit të ndotjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Indeksi i cilësisë së ajrit në kohë reale, i cili tubon të dhëna nga autoritetet lokale, e rangon qytetin në kategorinë “shumë i pashëndetshëm”, të dhëna këto të siguruara përmes ambasadës amerikane atje.
Para Hanoit është vetëm qyteti i Indisë, Varanasi.
Trafiku i dendur është një nga shkaktarët kryesor për ndotjen e ajrit, pasi siç thuhet, në Hanoi qarkullojnë 5.5 milionë vetura dhe 700 motoçikleta për një kilometër.
Një studim i fundit i zbatuar nga Ministria e Ambientit thotë se niveli i nitrogjen dioksidit është 1.3 herë më i lartë se i lejuari.
Niveli i lartë i smogut në vitet e kaluara ka bërë që maskat në fytyrë të jenë një pamje e zakontë, ndërkohë që maskat me filter për karbon janë shumë të kërkuara.
Fotografi 20 vjeçar, Duc Nguyen, që jeton në Hanoi, për Anadolu Agency deklaroi se ndotja e ajrit është një shqetësim serioz për te.
“Disa muaj më parë ishte vërtetë keq, por tani është akoma më shumë”, tha ai për të shtuar se ndotja po ndikon në shëndetin e tij.
“Ndihem i përgjumur, marr frymë me vështirësi ndërsa muskujt i kam të lodhur tërë kohën”, tha ai.