Kaamil Ahmed
13 Nëntor 2016•Përditësim: 14 Nëntor 2016
ERUSALEM (AA) – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të dielën se ai dhe presidenti i porsazgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, kanë rënë dakord të takohen për të diskutuar drejtimin e ardhshëm të marrëdhënieve mes shteteve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
"Presidenti i sapozgjedhur Trump dhe unë vendosëm të takohemi së shpejti për të diskutuar të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat janë në agjendën e SHBA-ve dhe Izraelit", deklaroi Netanyahu para një takimi të kabinetit të tij.
Disa politikanë të krahut të djathtë në Izrael festuan fitoren e Trumpit duke i kërkuar atij të transferojë ambasadën e SHBA-ve nga Tel Avivi në Jerusalem, që në thelb e ka kuptimin e njohjes së Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit, në kundërshtim me normat ndërkombëtare, si dhe të përkrahë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Netanyahu shpeshherë u përball me marrëdhënie të trazuara me presidentin në largim, Barack Obama, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me ndërtimin e vazhdueshëm të vendbanimeve të cilat për SHBA-të dhe bashkësinë ndërkombëtare kanë paraqitur pengesë për ndonjë marrëveshje të mundshme për paqe me palestinezët.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Netanjahu shprehu mbështetjen e tij edhe për një projektligj për të kufizuar zërin e thirrjes muslimane për lutje (Ezani), gjë e cila sipas tij do të diskutohet sot në komisionin parlamentar. Kjo çështje është kundërshtuar ashpër nga muslimanët të cilët e konsiderojnë si një nga elementet thelbësore të fesë islame.