Saadet Firdevs Aparı
03 Mars 2022•Përditësim: 04 Mars 2022
Netflix, platforma online e transmetimit, njoftoi se ka ndaluar të gjitha projektet e saj dhe blerjet në Rusi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit special të revistës javore, Variety, me bazë në SHBA, burime pranë kompanisë deklaruan se Netflix po vlerëson "ndikimin e pushtimit aktual të Ukrainës".
Në këtë kuadër thuhet se është ndërprerë prodhimi i 4 serialeve ruse, përfshirë edhe serialin Zato, i cili ka nisur xhirimet.
Thuhet se Netflix, që filloi të shërbejë në Rusi vitin e kaluar, ka afër 1 milion përdorues në vend.
Kompania më 1 mars njoftoi se nuk do të pranonte rregullin e shtimit të kanaleve të sponsorizuara nga shteti në listën e transmetimeve të sjellë nga Rusia.
Një zyrtar i Netflix tha: "Duke pasur parasysh situatën aktuale, ne nuk kemi plane t'i shtojmë këto kanale në shërbimin tonë".
Nga ana tjetër, kompania softuerike Oracle gjithashtu njoftoi se ka pezulluar operacionet e saj në Rusi.
Në një deklaratë në Twitter, kompania tha se vendimi i saj për të ndërprerë aktivitetet në këtë vend është, "për të mbështetur si qeverinë e zgjedhur ukrainase ashtu edhe popullin ukrainas në emër të 150.000 punonjësve të Oracle në mbarë botën".