Ahmet Gürhan Kartal
17 Shtator 2021•Përditësim: 17 Shtator 2021
Njerëzit në Uells do të duhet të paraqesin dëshmi se kanë marrë dy doza të vaksinës kundër koronavirusit (COVID-19) para se të hyjnë në ngjarje të mëdha dhe klube nate, njoftoi qeveria lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Certifikata, e quajtur pasaporta e vaksinës, do të kërkohet nga muaji i ardhshëm para hyrjes në klube, ngjarje në ambiente të mbyllura me më shumë se 500 njerëz dhe ngjarje të jashtme pa ulëse ku marrin pjesë mbi 4.000 persona.
“Gjëja e fundit që duam është bllokimi i mëtejshëm dhe që bizneset të detyrohen të mbyllin dyert e tyre edhe një herë”, tha ministri i parë Mark Drakeford në një konferencë shtypi.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të ndërmarrim veprime të vogla por kuptimplota tani, për të kontrolluar përhapjen e virusit dhe për të zvogëluar nevojën për masa më të ashpra më vonë”, tha ai.
Drakeford shtoi se “rastet e koronavirusit janë rritur në nivele shumë të larta gjatë verës pasi më shumë njerëz janë mbledhur dhe takuar”.
“Tragjikisht, më shumë njerëz po vdesin nga ky virus i tmerrshëm”, theksoi lideri uellsian.
Detyrimi për të paraqitur certifikatën e vaksinës para hyrjes në ngjarje të tilla do të hyjë në fuqi më 11 tetor.