Tuğrul Çam
10 Dhjetor 2018•Përditësim: 10 Dhjetor 2018
ERIVAN (AA) - Fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Armeni është aleanca "Emri im" e udhëhequr nga kryeministri i përkohshëm, Nikol Pashinyan, që fitoi 70.4 për qind të votave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Armeni njoftoi rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve të mbajtura ditën e djeshme. Sipas rezultateve paraprake, 48.6 për qind e 2.5 milionë votuesve të regjistruar kanë votuar në zgjedhje.
Aleanca "Emri im" e kryesuar nga partia "Kontrata civile" e Pashinyan ka marrë 70.4 për qind të votave.
Përveç aleancës së drejtuar nga Pashinyan, në Parlamentin e Armenisë kanë mundur të hyjnë dy parti që kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor. Partia Armenia e Begatë e qendrës së djathtë nën drejtimin e biznesmenit Gagik Tsarukyan ka marrë 8.2 për qind dhe Partia e Ndritshme e Armenisë nën kryesimin se Edmon Marukyan ka marrë 6.3 për qind të votave.
Ndërsa Partia Republikane e kryesuar nga ish-presidenti Serzh Sargsyan ka marrë 4.7 për qind të votave dhe Partia Tashnak 3.9 për qind, ku në këtë mënyrë nuk kanë mundur të hyjnë në parlament pasi nuk kanë kaluar pragun zgjedhor.
Në Armeni për partitë që hyjnë të vetme në zgjedhje ka një prag prej 5 për qind, ndërsa për aleancat një prag 7 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka mbetur shumë më e ulët nga sa pritej, ku nga 2.5 milionë votues armenë kanë votuar 48.6 për qind e tyre. Kjo pjesëmarrje në zgjedhjet e mëparshme ka qenë 60 për qind. Në zgjedhjet e parakohshme në Armeni, garuan 11 parti dhe aleanca.
Pas formimit të parlamentit, deputetët e rinj do të zhvillojnë një seancë më 31 dhjetor ku do të zgjedhin kryeministrin i cili gjithashtu do të formojë qeverinë.