Muhammet Nazım Taşçı
12 Nëntor 2019•Përditësim: 12 Nëntor 2019
Ndotja e ajrit në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, sërish është rritur në nivelin e "rrezikshmërisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në mediat indiane, gati të gjitha 37 stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit kanë treguar një indeks mbi 400 të cilësisë së ajrit.
Kryeministri i shtetit federal Delhi, Arvind Kejriwal, shkroi në Twitter se ndotja është rritur si pasojë e djegies së kashtëve.
Në disa vende të New Delhi, indeksi i cilësisë së ajrit është rritur në mbi 800, ndërsa në vendet si Noida, Greater Noida, Gaziabad, Gurgaon dhe Faridabad, ndotja ka arritur në nivelin e "rrezikshmërisë".
Administrata në vend u bëri thirrje qytetarëve që të mos bëjnë aktivitete në vende të hapura.
Cilësa e ajrit në kryeqytet pritet që nesër të përkeqësohet edhe më shumë.
Për shkak të ndotjes së ajrit në New Delhi, më parë arsimi ishte ndërprerë më 1-5 nëntor, ndërsa nxënësve u ishin shpërndarë maska.
Sipas të dhënave që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka publikuar vitin e kaluar, India është në mesin e dhjetë vendeve të para me ajrin më të ndotur.