Nazir Aliyev Tayfur
24 Mars 2022•Përditësim: 27 Mars 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk ka kërcënuar asnjëherë sigurinë e Federatës Ruse dhe i bëri thirrje opinionit botëror që të ndalin luftën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video-mesazh drejtuar popullit i cili u publikua nga llogaritë e medias sociale në ditën e 30 të luftës që Rusia filloi ndaj Ukrainës, presidenti Zelensky tha se kanë lënë pas një muaj në luftën që Federata e Rusisë ka hapur në mënyrë të pamëshirshme ndaj Ukrainës.
"Ukraina nuk ka kërcënuar asnjëherë sigurinë e Federatës Ruse. Madje, tani po bëjmë çdo gjë për të risjellë paqen për popullin tonë në territoret tona dhe jo në territoret tuaja", tha Zelensky.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Rusisë, Zelensky vuri në dukje se është i sigurt që në mesin e tyre ka shumë që janë të neveritur nga politika e shtetit të tyre.
Më tej Zelensky shtoi: "Jam i sigurt që dikush është mërzitur nga ato që shikon në kanalet televizive. Pagat e propaganduesve jepen nga taksat tuaja. Qytetarët rusë varfërohen edhe më shumë. A nuk është marrëzi që qeveria juaj të marrë taksa çdo ditë nga ju për t'iu varfëruar, për t'iu izoluar nga bota, për t'iu kontrolluar dhe për t'iu dërguar në luftë për të vdekur?".
"Për këtë arsye, qytetarë rusë që dëshironi paqe, shpëtoni djemtë tuaj nga lufta. U shpjegoni atyre të vërtetat rreth luftës. Largohuni nga Rusia për të mos dhënë taksat tuaja për luftën", theksoi Zelensky.
"Pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainë është vetëm fillimi"
Duke tërhequr vëmendjen se lufta e Rusisë nuk është vetëm një luftë e hapur kundër Ukrainës, Zelensky tha se:
"Kjo është shumë më e gjerë. Rusia në këtë mënyrë filloi një luftë kundër lirisë. Territoret e Ukrainës për Rusinë janë vetëm një fillim. Rusia po përpiqet të marrë lirinë e të gjithë njerëzve në Evropë dhe në botë. Ajo po përpiqet të tregojë që vetëm forca dhe brutaliteti është i rëndësishëm, se njerëzit dhe gjithçka tjetër që na bën njerëz nuk kanë rëndësi".
"Të gjithë duhet të ndalim Rusinë, bota duhet të ndalë luftën"
Duke iu drejtuar opinionit botëror, Zelensky tha: "Të gjithë duhet të ndalim Rusinë, bota duhet të ndalë luftën. I jam mirënjohës të gjithë atyre që përpiqen për të mbështetur Ukrainën, por lufta vazhdon. Terrori ndaj civilëve vazhdon. U bë një muaj. Kjo është shumë gjatë. Zemra ime thyhet dhe zemrat e ukrainasve dhe e të gjithë njerëzve të lirë në botë po thyhen. Për këtë arsye kërkoj nga ju të kundërshtoni luftën".