Besar Ademi
23 Shkurt 2016•Përditësim: 23 Shkurt 2016
GJEVGJELI (AA) – Një tren me rreth 80 refugjatë nga Afganistani, përfshirë edhe një numër të vogël të emigrantëve ekonomikë nga Irani, sapo është kthyer nga Tabanoci në kufirin jugor të Maqedonisë të cilët më tej do të transportohen në Athinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet kompetente thonë se kthimi i refugjatëve afgan është bërë për arsye se posedojnë dokumente të procedurës së vjetër, ndërsa për emigrantët ekonomikë nga Irani për arsye se kanë kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.
Disa prej refugjatëve afgan nuk kanë njohuri pse nuk u lejohet të përdorin korridorin tranzitor ballkanik, ndërsa atyre sirian dhe irakian u lejohet, ndërkohë një pjesë tjetër shpreson se shkaku është procedura e vjetër e regjistrimit dhe pasi të kryejnë procedurën e regjistrimit biometrik në Athinë, do të mund të vazhdojnë rrugën e tyre drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
“Policia nuk lejon që të kalojnë në Serbi shtetasit nga Afganistani, ata lejojnë vetëm ata nga Siria dhe Iraku. Për shtetasit e Iranit tashmë është vendosur që mos t'u lejohet të kalojnë kufirin dhe ata të cilët kanë kaluar do të kthehen prapa në Iran”, tha një refugjate nga Afganistani.
Nga ana tjetër, emigrantët ekonomikë të cilët kanë përdorur dokumente të falsifikuara, sipas autoriteteve do të kthehen prapa në vendet nga kanë ardhur.
“Nga Serbia kthehen të gjithë, edhe irakianët, edhe sirianët, edhe afganët. Serbia nuk na pranoi, diku me rreth 6-7 autobusa na kthyen të gjithëve në Maqedoni, nuk e di pse. Përndryshe, unë kalova kufirin në mënyrë ilegale”, tha një refugjat sirian.
Momentalisht kufiri greko-maqedonas është i mbyllur tërësisht për të gjithë refugjatët, ndërsa sipas organizatave joqeveritare që ndodhen në terren do të fillojë selektimi i refugjatëve, ku do të lejohet hyrja vetëm e refugjatëve sirianë dhe irakianë, ndërsa për refugjatët afgan ende nuk dihet sakt se çfarë do të vendoset.
Tashmë siç dihet nga muaji nëntor i vitit të kaluar korridorin tranzitor ballkanik mund ta përdorin vetëm refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani, mirëpo dy ditë më parë autoritetet policore të vendeve të prekur nga kriza e refugjatëve paraqitën një dokument biometrik për regjistrimin e refugjatëve, e cila siç duket më tepër ka prekur refugjatët afgan.