Barry Ellsworth
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Të gjithë 167 pasagjerët dhe 9 anëtarët e ekuipazhit vdiqën në përplasjen e aeroplanit Boeing 737-800 disa minuta pasi u nis nga një aeroport iranian, raporton Anadolu Agnecy (AA).
Në aeroplanin i cili udhëtonte për në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndodheshin 63 shtetas kanadezë, 82 iranianë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 4 afganë, 3 gjermanë dhe 3 shtetas britanikë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, Francois-Philippe Champagne, tha se ka kontaktuar zyrtarët ukrainas.
"Lajme tragjike sa i përket fluturimit 752 të Kompanisë Ajrore Ndërkombëtare të Ukrainës", shkroi Champagne në rrjetet sociale.
"Zemrat tona janë me të dashurit e viktimave, përfshirë shumë kanadezë. Unë kam qenë në kontakt me qeverinë e Ukrainës. Ne do të vazhdojmë t'i informojmë kanadezët derisa situata evoluon", shkroi ai gjithashtu.
Rrëzimi i avionit ndodhi disa orë pas sulmit raketor iranian ndaj trupave amerikane që janë të stacionuara në disa baza irakiane.
Zyrtarë iranianë dhe ukrainas spekuluan se rrëzimi ndodhi nga shkaku i një mosfunksionimi mekanik. Por ambasada e Ukrainës në Teheran më vonë tha se shkaku i rrëzimit nuk ishte zyrtar.
"Detyra jonë është të përcaktojmë shkakun e rrëzimit të Boeing-ut dhe të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme për familjet e viktimave", tha kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Dmytro Razumkov në një postim në rrjetet sociale.
Zyrtarët ukrainas thanë se aeroplani ishte inspektuar të hënën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky urdhëroi një kontroll të gjithë flotës civile të linjave ajrore të Ukrainës "pa marrë parasysh konkluzionet nga rrëzimi në Iran".
Kompania Ajrore Ndërkombëtare e Ukrainës ka pezulluar të gjitha fluturimet në Teheran.