Fatih Erel
24 Janar 2017•Përditësim: 24 Janar 2017
GJENEVË (AA) – Kombet e Bashkuara kanë apeluar të martën për alokimin të 4.63 miliardë dollarëve shtesë, për të përballuar nevojat në rritje të refugjatëve sirianë të cilët kanë gjetur strehim në shtetet fqinje, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërkesa e fundit është bërë gjatë konferencës të mbajtur në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, dhe paraqet apelin më të ri të organizatës për mjete shtesë pasi më herët organizatat ndërkombëtare kishin vlerësuar se shuma e nevojshme për ndihmë humanitare të 13.5 milionë sirianëve që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje urgjente është 3.4 miliardë dollarë.
Në njoftimin e OKB-së, ministri finlandez për Tregti me Jashtë dhe Zhvillim, Kai Mykkanen, ka theksuar rritjen e madhe të nevojave humanitare dhe barrën e madhe të cilën e kanë mbi supe shtetet fqinje. “Duke organizuar këtë event, Finlanda dëshiron të nxjerr në pah punën jetike të cilën e kanë bërë OKB-ja dhe shtetet fqinje të Sirisë”, tha Mykkanen.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, deklaroi se refugjatët sirianë dhe shtetet mikpritëse “tani më shumë se kurë kanë nevojë për përkrahje, dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të dërgojë mesazhin se qëndron pranë tyre."
“UNHCR dhe partnerët e saj, janë të gatshëm për të adresuar nevojat dhe cenueshmëritë e refugjatëve sirianë dhe komuniteteve mikpritëse, mirëpo, për të realizuar këtë kanë nevojë për fonde”, tha ai.
Nënsekretari i Përgjithshëm për Çështje të Refugjatëve, njëherësh Koordinator për Ndihma Urgjente, Stephen O’Brien, nga ana e tij tha se vuajtjet e sirianëve nuk janë pakësuar. "Është i domosdoshëm bashkimi i përpjekjeve në mënyrë që tu dilet në ndihmë 13.5 milionë burrave, grave dhe fëmijëve sirianë të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare dhe mbrojtje", tha ai.
Plani i OKB-ve për vitin 2017 dhe 2018 synon të ndihmojë 4.7 milionë refugjatë nga Siria dhe 4.4 milionë njerëz mikpritës të tyre në Turqi, Liban Jordani, Irak dhe Egjipt.