Betül Yürük
01 Gusht 2019•Përditësim: 02 Gusht 2019
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, do të nisë hetim në lidhje me sulmet e regjimit të Bashar Al-Asadit dhe Rusisë ndaj spitaleve në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e bërë nga zyra e zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, thuhet se Guterres do të nisë hetim në lidhje me sulmet të cilat vazhdojnë pavarësisht memorandumit të nënshkruar mes Turqisë dhe Rusisë në veriperëndim të Sirisë për uljen e tensioneve.
Më tej në njoftim është bërë e ditur se Guterres këtë vendim e ka marrë në pajtim me nenin e 97-të të Konventës së OKB-së, për hetimin e sulmeve të bëra ndaj infrastrukturës civile si spitale dhe shkolla. Guterres, bëri thirrje tek të gjitha palët për bashkëpunim me ekipin hetues.
Dhjetë shtete kërkuan "nisjen e hetimeve"
Dhjetë shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Belgjika, Peru, Kuvajti, Polonia, Republika Dominikane dhe Indonezia, bënë thirrje për "nisjen e hetimeve" në lidhje me sulmet ndaj spitaleve në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë.
Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për çështje humanitare, Mark Lowcock, në fjalimin e Këshillit të Sigurimit, theksoi se përgjegjësit e sulmeve janë regjimi dhe Rusia. "Qeveria e Sirisë dhe Rusia kanë shkaktuar kërdi me anë të bombardimit të zonës së de-eskalimit në një periudhë kohore prej më shumë se 90 ditë", u shpreh ai.