Riyaz Khaliq Khaliq
12 Janar 2022•Përditësim: 13 Janar 2022
Një rajon tjetër në provincën qendrore Henan të Kinës është mbyllur për shkak të rritjes së rasteve lokale me koronavirusin (COVID-19), të nxitura nga llojet Omicron dhe Delta, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës njoftoi se vendi regjistroi 221 raste të reja dhe se 166 prej tyre u transmetuan në nivel lokal.
Siç raporton e përditshmja kineze "Global Times", vetëm provinca Henan gjatë ditës së kaluar regjistroi 118 raste, duke çuar në mbylljen e qarkut Huaxian nga autoritetet e vendit.
Qyteti verior Tianjin regjistroi 33 raste mes masave të bllokimit dhe testimeve masive.
Dje, autoritetet vepruan me shpejtësi për të vendosur një bllokim në qytetin Anyang, pasi në qytet u zbuluan dy raste të llojit Omicron të koronavirusit.
Këtë mëngjes, Anyang raportoi 123 raste me COVID-19, ndërsa autoritetet po nisin një raund të ri të testimit.
Që kur koronavirusi u shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit 2019, Kina ka raportuar 104.189 raste me COVID-19, përfshirë 4.646 vdekje.