Umur Koçak Semiz
25 Qershor 2017•Përditësim: 26 Qershor 2017
ISLAMABAD (AA) - Ka shkuar në 148 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbysjes dhe përfshirjes nga zjarri e një cisterne të naftës në Pakistan, njoftojnë autoritetet e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas autoriteteve, bilanci i viktimave është rritur pasi 26 persona që u plagosën rëndë gjatë aksidentit në qytetin Bahavalpur të Pakistanit u janë nënshtruar plagëve.
Siç njoftohet, 51 persona të plagosur gjenden në spital për trajtim, prej të cilëve 40 janë në gjendje të rëndë, ndërsa vazhdojnë shqetësimet për rritje të mëtutjeshme të numrit të viktimave.
Mendohet se aksidenti ka ndodhur pasi shoferi ka humbur kontrollin pas pëlcitjes së gomës së cisternës. Shumë njerëz nga fshatrat përreth që kanë shkuar drejt vendit të aksidentit për të marrë nga nafta që ka filluar të rrjedhë nga cisterna e përmbysur, kanë ngelur mes zjarrit pasi cisterna ka filluar të digjet.
Dëshmitarët okularë pohojnë se cisterna është përfshirë nga zjarri pasi njëri nga fshatarët që kishin ardhur të merrnin naftë ka ndezur cigare.
Zjarri është marrë nën kontroll nga ekipet e zjarrëfikësit. Si pasojë e zjarrit janë shkatërruar po ashtu gjashtë automjete dhe 12 motoçikleta.
Thuhet se cisterna po transportonte rreth 25 mijë litra naftë dhe po shkonte nga Karaçi drejt qytetit Lahor.