Fatma Esma Arslan
19 Qershor 2016•Përditësim: 20 Qershor 2016
PARIS (AA) - Pas ambienteve të metrove dhe të atyre nën-ura në kryeqytetin e Francës, Paris, edhe ambientet e jashtme të institucioneve publike kanë nisur të jenë hapësira për jetesën e refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Refugjatët në kampin e improvizuar të ngritur në parkun e bibliotekës Vaclav Havel në zonën 18-të të Parisit, përpiqen të mbijetojnë në kushte vështira.
Refugjatët e ardhur nga Eritrea, Sudani dhe Afganistani pasi mbërrijnë në Paris, nëpërmjet qytetit Calais janë në kërkim të rrugës për të kaluar në Britani.
Afërsisht 200 refugjatë duke përfshirë gra dhe fëmijë vazhdojnë të qëndrojnë në lulishten e bibliotekës pavarësisht shirave intensivë në javët e fundit në kryeqytetin francez.
Gjithashtu në kampin ku në mesin e çadrave vërehen afishe dhe pankarta me mbishkrimet si "Refugjatët nuk janë rrezik, por janë në rrezik", "Ku janë të drejtat e njeriut, na ndihmoni", refugjatët ushqehen me ndihmat e shpërndara nga vullnetarët.