Yusuf Özcan
17 Shkurt 2021•Përditësim: 17 Shkurt 2021
Në parlamentin kombëtar të Francës është miratuar projektligji i kritikuar me arsyen se vendos në objektiv muslimanët dhe i cili njihet si "separatist", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në votimin e zhvilluar në parlament, projektligji u miratua me 347 vota "pro" dhe 151 vota "kundër", ndërsa 65 deputetë abstenuan.
Projektligjin e mbështetën Lëvizja Republika në Marshim (La Republique En Marche - (LREM) themeluesi i të cilës është presidenti Emmanuel Macron, Lëvizja Demokracia (Modem), Partia Agir dhe Unioni i Demokratëve dhe të Pavarurve (UDI) ndërsa e kundërshtuan Republikanët e qendrës së djathtë (LR) dhe Lëvizja e Papërkulur e Francës (LFI) e të majtës ekstreme. Ndërkohë abstenuan Partia Socialiste e qendrës së majtë (PS) dhe Partia Komuniste e Francës (PCF).
Theksohet se LR ka kundërshtuar projektligjin me arsyen se përmban "hapa të butë". Nënkryetari i grupit LR, Bruno Retailleau në një deklaratë tha se në Senat dëshiron që projektligjit t‘i shtohet "Separatizmi islamik" dhe ndalimi i shamisë në vendet publike.
Projektligji i cili më parë u emërtua si "Separatizmi islamik" dhe i cili pas reagimeve u ndryshua në "parimet që forcojnë respektin ndaj vlerave të republikës" që nga 30 marsi do të shqyrtohet në Senat. Pas votimit këtu pritet që projektligji të paraqitet sërish në parlament.
Projektligji bën të mundur mbylljen e shoqatave fetare që nxisin dhunë ndaj dikujt ose që kryejnë diskriminim për shkak të gjinisë.
Ata që kërcënojnë, dhunojnë dhe ofendojnë zyrtarët publikë për arsye fetare do të dënohen me 5 vite burg dhe 75 mijë euro, thuhet në projektligjin në të cilin parashikohet dënimi me 3.750 euro ndaj shoqatave fetare, përfshirë ato islame nëse nuk respektojnë deklarimin e burimit të donacioneve nga jashtë vendit në vlerën mbi 10 mijë euro.
Sipas projektligjit bëhet i detyrueshëm arsimi zyrtar për fëmijët e moshën mes 3 dhe 16 vjeç, por lë të lirë opsionin për arsim në shtëpi me lejen e qeverisë në rastet shëndetësore ose rrethanave përjashtuese.
Po ashtu projektligji i cili parashikon dënimin me 3 vite burg dhe 45 mijë euro për ata që ndajnë në median sociale informacione personale që rrezikojnë jetën e një personi, theksohet se dënimi në fjalë mund të rritet në 5 vite nëse personi që i rrezikohet jeta është punonjës zyrtar, më i ri se 18 vjeç dhe një person i përzgjedhur.
Ndër të tjera në projektligj vendosen në objektiv edhe praktika të tilla si poligamia, martesa me detyrim dhe raporti i virgjërisë si dhe mbyllja për 2 muaj e xhamive dhe vendeve të adhurimit që nxisin urrejtje ndaj një personi.
Kundër projektligjit është protestuar në Paris, me thirrjen e bërë nga Koordinimi kundër Projektligjit "separatist" i cili përbëhet nga shumë organizata të shoqërisë civile, gazetarë, akademikë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut. Protestuesit reaguan me arsyetimin se projektligji do të shkaktojë diskriminim kundër muslimanëve.
Gjithashtu projektligji ka shkaktuar reagime të muslimanëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Francë dhe në shumë vende.