Ekip
17 Shkurt 2021•Përditësim: 18 Shkurt 2021
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u zotua në fund të një video-konference dy-ditore me udhëheqësit e Çadit se pa asnjë zvogëlim të numrit të ushtarëve, Franca do të vazhdojë angazhimin e saj ushtarak në rajonin e Sahelit për të ndihmuar në shkatërrimin e grupeve të lidhura me Al-Kaedën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke u adresuar në konferencën për media të martën vonë nga Pallati Elysee në Paris, Macron tha se do të ishte "paradoksale të dobësohej sistemi ynë në një kohë kur kemi një rreshtim politik dhe ushtarak të favorshëm për arritjen e objektivave tona".
Ndryshime të rëndësishme do të bëhen në sistemin ushtarak në Sahel, "por jo menjëherë", shtoi ai, duke hedhur poshtë idenë e një "nxitimi".
Macron tha se tërheqja masive do të ishte një gabim, duke shtuar se ka studiuar mundësinë. Në planin afatgjatë, ai tha se Franca do të zhvillojë diskutime me udhëheqësit e vendeve të rajonit G5 Sahel për të vlerësuar praninë ushtarake të vendit.
Deklarata shënon një zhvendosje nga pohimi i ministres së Mbrojtjes, Florence Parly muajin e kaluar se Franca po konsideron zvogëlimin e trupave pas sukseseve të saj ushtarake në vitin 2020.
Deklaratat e Parly-t erdhën pas sulmeve të njëpasnjëshme vdekjeprurëse nga grupe të armatosura terroriste kundër trupave franceze në rajonin e "tre kufijve" fqinj me Malin, Burkina Fason dhe Nigerin.
Nën operacionin Barkhane, Franca ka vendosur 5.100 trupa në rajon dhe Macron po ashtu ka mirëpritur mobilizimin e vazhdueshëm ndërkombëtar të operacioneve kundër-terroriste në Sahel.
Disa vende evropiane kanë kryer angazhim ushtarak me forca të veçanta të përbashkëta. Task Forca Takuba, e nisur vitin e kaluar, përfshirë trupa nga Estonia, Çekia, Suedia, Italia, Danimarka, Portugalia dhe Holanda, tashmë po vendos oficerë dhe mund të rrisë angazhimin e tyre.
Macron tha se objektivi është që të ketë 2.000 trupa nën Takuba dhe rreth 500 ushtarë francezë të cilët do të bashkëpunojnë dhe do të jenë atje për një kohë të gjatë së bashku me ushtarët sahelianë.
Presidenti i Çadit, Idriss Deby Itno po ashtu njoftoi vendosjen e 1.200 ushtarëve për të rimarrë kontrollin e "tre kufijve".