Sinan Doğan
15 Shkurt 2023•Përditësim: 15 Shkurt 2023
Në Peru të Amerikës Latine vazhdojnë protestat antiqeveritare të mijëra njerëzve, të cilët kanë dalë në rrugë që nga 11 dhjetori për të kërkuar dorëheqjen e presidentes Dina Boluarte, transmeton Anadolu.
Sipas mediave peruane, protestuesit që kanë marshuar në shumë qytete, veçanërisht në kryeqytetin Lima, janë përplasur herë pas here me forcat e sigurisë.
Sulmit të protestuesve me gurë dhe kokteje molotov policia iu përgjigj me gaz lotsjellës dhe arrestoi shumë persona. Mësohet se nga incidentet janë plagosur 20 persona.
Qeveria njoftoi se ka zgjatur për 30 ditë të tjera gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur më 15 janar në Lima dhe disa qytete në jug të vendit.
Të paktën 64 persona e kanë humbur jetën në protestat që nga 11 dhjetori 2022 ndërsa numri i të plagosurve ka kaluar mbi 1.700.
Protestat në Peru filluan pasi ish-presidenti Pedro Castillo u fajësua nga Kongresi më 7 dhjetor 2022.