İdris Okuducu
07 Gusht 2017•Përditësim: 07 Gusht 2017
ERBIL (AA) - Qeveria qendrore e Irakut ka pezulluar transportin e naftës së papërpunuar nga puset e Kerkukut që kontrollohen nga qeveria, drejt qeverisë rajonale kurde të Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi me shkrim nga zëvendësministri i Naftës së Irakut, Kerim Hattab Xhaferi.
"Furnizimi i naftës së papërpunuar që shkon në rajonin verior kurd nga Kompania Veriore e Naftës duhet ndalur menjëherë dhe t'i jepet fund prodhimit shtesë", thuhet në njoftim.
Megjithatë, Xhaferi nuk ka dhënë ndonjë deklaratë nëse pezullimi vjen si pasojë e ndonjë defekti teknik ose për arsye të tjera.
Ndryshe, qeveria kishte ndërmarrë një hap të tillë edhe në mars të vitit 2016, duke e pezulluar transportin e naftës së Kerkukut për pesë muaj pa treguar ndonjë arsye.
Qyteti i Kerkukut, i pasur me naftë, ka gjithsej pesë puse të naftës, prej të cilave tri kontrollohen nga Kompania Veriore e Naftës në emër të qeverisë, kurse dy të tjera nga qeveria rajonale kurde.
Nafta e nxjerrë nga puset e këtij qyteti shitet në tregjet e botës pasi të transportohet në Portin Ceyhan në Turqi.