Ekip
08 Janar 2017•Përditësim: 09 Janar 2017
YANGON (AA) – Forca të policisë kanë zbarkuar të dielën në ish-kryeqytetin e Mianmarit, Yangon, për të ofruar siguri gjatë një ceremoniali të muslimanëve, pas kërcënimeve që kanë marrë nga nacionalistët budistë të cilët kishin tentuar të ndalojnë eventin, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra policë kishin mbërritur në vendin e ngjarjes pasi turma e mbledhur kishte tentuar të prishë ceremoninë për të cilën kishin thënë se është organizuar pa lejen paraprake të autoriteteve lokale.
Në mesin e personave që tentonin të pengonin eventin kishte edhe murgjë budistë, të cilët akuzohen për shtimin e persekutimeve ndaj muslimanëve në Mianmar.
Megjithatë, policia tha për AA se nacionalistët nuk kishin të drejtë sepse leja për ceremoninë në fjalë ishte dhënë më herët.
“U shpjeguam atyre se autoritetet tashmë kishin dhënë leje për këtë aktivitet fetar”, tha në një prononcim oficeri i policisë Tun Tin.
Besimtarët muslimanë nga ana e tyre, shprehen të shqetësuar nga tentativa e budistëve për të penguar eventin fetar, me akuzën se muslimanët janë tubuar për të sajuar plane të dhunës. “Ne e duam shtetin tonë dhe asnjëherë nuk do të bënim një gjë të tillë”, thonë ata.
Retorika anti-islame e budistëve nacionalistë, siç është nga organizata për Mbrojtje të Racës dhe Religjionit (Ma Ba Tha) perceptohet si nxitje e urrejtjes fetare në shtetin me popullsi predominuese budiste.