Levent Tok,Adham Kako,Ömer Koparan,Mohamad Misto
26 Dhjetor 2018•Përditësim: 27 Dhjetor 2018
AZEZ/STAMBOLL (AA) - Gjersa ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) bën përgatitjet për t'u tërhequr nga Siria, Franca, e cila njoftoi se do ta vazhdojë mbështetjen për organizatën terroriste YPG/PKK, në shumë pika ushtarake përfiton nga mundësitë e SHBA-së. Ndërkaq, numri i ushtarëve francezë në Siri është vetëm rreth 200.
Deklarata e Francës për mbështetje u bë shpresë për terroristët e YPG/PKK-së, të cilët u tronditën nga vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për t'u tërhequr nga Siria.
Megjithatë, gjetjet e bëra nga Anadolu Agency (AA) në terren në Siri, tregojnë Franca nuk i ka mundësitë për ta ofruar këtë mbështetje në rrethanat aktuale.
Aktualisht, Franca ka vetëm 200 ushtarë në lindje të Eufratit, zonë e pushtuar nga organizata terroriste YPG/PKK.

Trupat franceze janë të pranishme në nëntë pika ushtarake.
Franca shpërfill faktin që në radhët e YPG/PKK-së, krahas personelit ushtarak të saj, gjenden edhe grupe radikale të majta dhe anarkiste të cilat luftojnë si luftëtarë të huaj. Supozohet se në radhët e YPG/PKK-së gjenden afër 50 shtetas francezë.
Njësitë franceze, të cilat ushtrojnë aktivitete në terren me terroristët e YPG/PKK-së, së fundmi luajtën rol të madh duke mbështetur me artileri YPG/PKK-në për ta marrë kontrollin mbi qytezën Hajin, kështjellën e fundit të DEASH-it në prefekturën e Dejrizorit.
Prani ushtarake nevojtare për SHBA-në
Forcat franceze janë të stacionuar në Majën Mishtanur në veri të Sirisë, që gjendet në jug të qytetit Ajnularab (Kobani), qytezat Sarrin dhe Ajn Isa, në fabrikën franceze të çimentos Lafarge në fshatin Harab Ishk, në bazën në Raka, në fushën e naftës Kabiba, në pikën ushtarake Kahar, në bazën ushtarake në aeroportin në Tabka dhe përreth lumit Saxhu në Munbixh.
Në pjesën jugore të fushës së naftës Kabiba në Dejrizor gjenden të stacionuara bateritë franceze. Ndërtesat prej ku menaxhohet kjo fushë përdoret si qendër nga ana e francezëve. Ndërkaq, në fushën e naftës Kahar në lindje të qytezës Majadin në Dejrizor gjenden bateri dhe forca speciale të Francës.
Në katër nga nëntë pika ushtarake, francezët gjenden nën mbrojtjen e ushtarëve amerikanë, ndërsa edhe në rajone të tjera, ata mund të lëvizin nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane dhe YPG/PKK-së.
Në rrethanat aktuale, shihet si e pamundur që pas tërheqjes së SHBA-së nga Siria, Franca të ofrojë mbështetje të ngjashme për YPG/PKK-në duke e plotësuar boshllëkun.
Deklaratat e Francës dhe reagimet
Ministrja franceze përgjegjëse për Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Nathalie Loiseau, më 20 dhjetor tha se vendi i saj do të vazhdojë të qëndrojë ushtarakisht në Siri për momentin.
Ndërkaq, presidenti i vendit, Emmanuel Macron të dielën deklaroi se "Nuk duhet harruar se i jemi borxhlinjë YPG/PKK-së".
Më pas, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, reagoi ndaj deklaratave të Francës, duke thënë se nuk është problem nëse Franca qëndron për të kontribuuar për të ardhmen e Sirisë, por nëse ajo qëndron për ta mbrojutr YPG-në, "atëherë kjo nuk do të ketë dobi as për ta, e as për YPG-në".
Përpjekjet e Francës për ta vazhduar mbështetjen për YPG/PKK-në shkaktoi reagime edhe në mesin e komandantëve të Ushtrisë së Lirë Siriane.
Franca, e cila gjendet në Siri në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it, zyrtarisht nuk e pranon se ka të stacionuar ushtarë në veri të Sirisë.