Ekip
11 Nëntor 2022•Përditësim: 11 Nëntor 2022
Ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare, tha se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan, e ka ftuar për vizitë në Abu Dabi për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Tani kam folur me mikun tim, presidentin e EBA-së, Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan dhe ne kemi rënë dakord të përmirësojmë më tej marrëdhëniet pas marrëveshjes historike të paqes që arritëm së bashku”, shkroi Netanyahu në Twitter të enjten.
Ai shtoi se Al-Nahyan e ka ftuar të vizitojë Abu Dabin për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe e ka falënderuar për bisedën dhe "marrëdhëniet e shkëlqyera" mes tyre.
Al-Nahyan e ka uruar Netanyahun për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke nënvizuar dëshirën e EBA-së për forcimin e partneriteteve pozitive në rajon, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve.
Netanyahu dhe blloku i tij i krahut të djathtë siguruan shumicë absolute në parlamentin izraelit (Knesset) me 120 vende, duke i mundësuar formimin e qeverisë së ardhshme.
EBA-ja dhe Izraeli nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në shtator 2020, kurse nënshkrimi u bë në Shtëpinë e Bardhë. Që atëherë, të dy vendet kanë shkëmbyer vizita nga zyrtarë të lartë dhe kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme, duke përfshirë investimet, shërbimet bankare dhe turizmin.