Ekip
11 Tetor 2016•Përditësim: 11 Tetor 2016
PARIS (AA) – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për shkak të tensioneve të rritura diplomatike, ka anuluar takimin për Sirinë me homologun e tij francez, Francois Hollande, i cili është planifikuar për javën e ardhshme në Paris, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun të presidentit francez theksuan se Rusia dëshiron që Putini të vizitojë Francën në një datë tjetër, më vonë.
Putini javën e ardhshme duhej të vizitonte kryeqytetin e Francës për t’u takuar me Hollande dhe të hapte një kishë ortodokse pranë Kullës Eiffel.
Vendimi i Putinit erdhi pasi Rusia vendosi veto ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të cilën e propozuan Spanja dhe Franca për t’i dhënë fund luftimeve në Siri.
Të hënën ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Marc Ayrault i bëri thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë që të fillojë hetimet për Rusinë për shkak të krimeve të mundshme të luftës në Siri.