Islam Uddin
23 Qershor 2021•Përditësim: 24 Qershor 2021
Presidenti i Kinës, Xi Jinping zhvilloi një telefonatë "tokë-hapësirë" dhe foli me astronautët e vendosur në modulin kryesor të stacionit hapësinor kinez Tianhe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Biseda për herë të parë midis Xi dhe taikonautëve (astronautë kinezë) u transmetua drejtpërdrejt në mediat e drejtuara nga shteti, me ç'rast presidenti u dërgoi përshëndetje të ngrohta dhe u uroi atyre një mision të suksesshëm, njoftoi e përditshmja "Global Times".
"Taikonautët kinezë tani kanë një shtëpi afatgjate në orbitë", tha Nie Haisheng, udhëheqësi i ekuipazhit, ndërsa fliste me presidentin.
Të enjten, Kina lançoi me sukses anijen kozmike Shenzhou-12 nga Qendra e Lançimit të satelitëve Jiuquan në shkretëtirën Gobi në provincën jugperëndimore Gansu.
Astronautët në bord, Nie Haisheng, Liu Boming dhe Tang Hongbo, të cilët do të kalojnë tre muaj në stacionin Tiangong, gjatë qëndrimit të tyre do të kryejnë detyra si, riparimin dhe mirëmbajtjen, ndërrimin e pajisjeve dhe funksionimin shkencor të ngarkesave.
Kjo ishte hera e parë në gati pesë vjet që Kina dërgon astronautë në hapësirë. Ky ishte misioni i parë i fluturimit me ekuipazh dhe hapi i tretë i 11 misioneve të lançimit hapësinore të vendit në fazën e intensive të ndërtimit të stacionit hapësinor.
Në prill, Kina nisi modulin kryesor për stacionin hapësinor në formë të shkronjës T ndërsa parashikon përfundimin e tij deri në vitin e ardhshëm.
Në lançimin e suksesshëm të modulit më 29 prill, presidenti kinez Jinping tha se ndërtimi i stacionit hapësinor të Kinës kishte hyrë në fazën e zbatimit të plotë, duke hedhur një themel të fortë për detyrat vijuese.
Stacioni hapësinor ka një jetëgjatësi të projektuar prej 10 vjetësh, por mirëmbajtja dhe riparimet e duhura mund të zgjasin jetën e tij në më shumë se 15 vjet.