Emre Aytekin
14 Prill 2022•Përditësim: 15 Prill 2022
Pretendohet se një delegacion i Senatit Amerikan do të vizitojë sot Tajvanin, i cili është në konflikt me Kinën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve të televizionit Formosa, i njohur për afërsinë me qeverinë në Tajvan, delegacioni i Senatit i kryesuar nga senatori i Partisë Demokratike të New Jersey-t, Bob Menendez, pritet të mbërrijë në Taipei në mbrëmje.
Theksohet se në delegacion do të marrin pjesë senatorët republikanë Lindsey Graham, Richard Burr, Ben Sasse, Rob Portman dhe Ronny Jackson, si dhe Menendez.
Gjithashtu pretendohet se delegacioni do të takohet me lideren e Tajvanit, Tsai Ing-wen.
Dy delegacione të veçanta nga Kongresi Amerikan kishin vizituar më parë Tajvanin në nëntor 2021.
Thuhet se Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, do të vizitonte ishullin si pjesë e udhëtimit të saj në Azi javën e kaluar, por udhëtimi u anulua për shkak se Pelosi u infektua me COVID-19.
Konflikti Kinë-Tajvan
Pasi Partia Komuniste Kineze (CCP) e udhëhequr nga Mao Ce Duni mori pushtetin në vitin 1949 në luftën civile që shpërtheu pas Luftës së Dytë Botërore në Kinë dhe shpalli krijimin e Republikës Popullore të Kinës, anëtarët e Partisë Nacionaliste Kineze (Kuomintag) të udhëhequr nga Chiang Kai-shek u larguan në Tajvan. Ai u vendos në ishull dhe shpalli pavarësinë, duke pretenduar se qeveria e "Republikës së Kinës", e cila u krijua në vitin 1912, vazhdon në ishull.
Megjithëse kjo nismë nuk u pranua nga Kina, përfaqësuesit e Tajvanit përfaqësuan Kinën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) deri në vitin 1971. Pozicioni i Tajvanit ishte bërë i pasigurt në organizatat ndërkombëtare pasi Qeveria e Pekinit u pranua si përfaqësuesi i vetëm legjitim i Kinës në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 1971, pasi shumë vende ndryshuan preferencën e tyre të marrëdhënieve diplomatike nga Republika e Kinës në Republikën Popullore të Kinës në vitet 1950 dhe 1960.
Qeveria e Pekinit, duke miratuar parimin e "Një Kine", argumenton se Tajvani është pjesë e territorit të saj. Përveç pranisë së saj ushtarake në dhe rreth ngushticës, Kina kundërshton vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të pavarura nga Tajvani me vendet e botës dhe përfaqësimin e tij në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.