Agon Fehmiu
15 Janar 2016•Përditësim: 16 Janar 2016
PRISHTINË (AA) - Princi i Uellsit Charles dhe Dukesha Camilla e Cornwall, do të zhvillojnë vizita zyrtare në Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi në mars 2016, njofton ambasada britanike në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Princi i Uellsit deri tash ka vizituar tetë herë Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosovën e vizitoi një herë, në shtator të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës.
Nga ana tjetër, kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Dukeshës së Cornwall në Kroaci, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, pasi që ajo një herë ka vizituar Bosnjë e Hercegovinën në vitin 2007.
Princi i Uellsit, Charles, është i biri më i vjetër i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, Mbretëreshës së Mbretërisë së Bashkuar dhe 15 mbretërive tjera të pavarura të Commonwealth dhe udhëheqëses së grupit të 53 shteteve të Commonwealth-it.
Gruaja e Princit të Uellsit titullohet si Princesha e Uellsit por, meqë gruaja e parë e Princit Charles, e ndjera Lady Diana, ishte shumë e popullarizuar dhe ky titull lidhet ngushtë me të, gruaja e dytë e Princit Charles, Camilla, e përdor vetëm titullin e Dukeshës së Cornwall.