Birol Tan
17 Dhjetor 2016•Përditësim: 17 Dhjetor 2016
BREMEN/VJENË/WASHINGTON (AA) - Një numër i madh i qytetarëve u mblodhën mbrëmë në rrugët e Vjenës në Austri dhe Bremenit të Gjermanisë në mbështetje të civilëve sirianë në Halep, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë mënyrë turma ka shprehur pakënaqësinë lidhur me sulmet e kryera nga forcat besnike të presidentit sirian Bashar al-Asad dhe aleatëve të tyre mbi civilët në Halep.
Rreth 4.000 njerëz u mblodhën në Bremen të Gjermanisë, ndërkohë që në duar mbanin pankarta me mbishkrimet: "Halepi digjet, po vdes njerëzimi", "Shpëtoni Halepin”, "Mjaft më, ndalni masakrën”.
Një numër i madh i qytetarëve u mblodh edhe në kryeqytetin austriak, në Vjenë.
Të tubuar para ndërtesës së Parlamentit në duar mbanin qirinj për viktimat nga sulmet në Halep, por edhe pankarta me parullat: “Putin vrasës”, "Mbroni Halepin”, “Ku është njerëzimi”, “Shpëtoni fëmijët e Halepit”.
Të pranishmit mbajtën edhe një minutë heshtje për civilët që kanë humbur jetën në këtë qytet sirian.
Në SHBA mbahen protesta në përkrahje të Halepit
Disa qindra banorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u tubuan në protestat para Shtëpisë së Bardhë në Washington dhe në sheshin kryesor të New Yorkut, më qëllim të sensibilizojnë opinionin për zhvillimet e fundit në Halep.
Gjatë protestave, organizatorë i të cilave ishte grupi për Solidarizim me Sirinë, të pranishmit bënë lutje për civilët e varë nga sulmet në Halep, ndërkohë që u shpreh pakënaqësia lidhur me indiferencën e botës për krimet të kryera në atje.
Gjatë protestës u dëgjuan edhe parulla kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al Asad.
Njëri nga protestuesit me origjinë nga Siria, tha se familja e tij gjendet në Halep dhe se e ka shumë të vështirë të shikojë pamjet të cilat vijnë nga ky qytet. "Solidarizohemi me Halepin, ai kurrë nuk do të bjerë", tha ai.
Pas protestës te Shtëpia e Bardhë, masa e tubuar shkoi te ambasada ruse në Washington, ku dhe përfundoi marshi protestues.
Përveç në Washington, protestë për mbështetje të Sirisë dhe Halepit u mbajt edhe në sheshin “Times Square” në New York. Një numër i madh i qytetarëve nderoi civilët e vrarë, por edhe shprehu pakënaqësi rreth bombardimit të Halepit.