Elvir Hociç
28 Maj 2017•Përditësim: 29 Maj 2017
MOSKË (AA) – Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hassan Rouhani, janë dakord për domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta në drejtim të ndalimit të luftës dhe vendosjes së paqes në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kabineti i Kremlinit për marrëdhënie me opinionin njoftoi se Putini përmes telefonit ka biseduar me homologun e tij iranian Rouhani dhe me këtë rast e ka uruar për rizgjedhjen në postin e presidentit të Iranit.
Putin dhe Rouhani konfirmuan vendosmërinë në procesin e intensifikimit të bashkëpunimit bilateral dhe zbatimin e marrëveshjeve të cilat u dakorduan gjatë vizitës së marsit të Rouhanit në Rusi.
Në këtë kontekst është theksuar rëndësia e veçantë për marrëveshjen mbi tregtinë, sektorin energjetik dhe përdorimin për qëllime paqësore të energjisë bërthamore.
“Gjatë debatit për situatën në Siri, Putin dhe Rouhani shprehën pajtueshmërinë për domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta në drejtim të ndalimit të luftimeve dhe vendosjen e paqes në Siri. Veçmas është e rëndësishme që të vazhdojë procesi paqësor në bazë të hartës rrugore të ngjarë gjatë negociatave në Astanë dhe implementimin e marrëveshjes për zona jokonfliktuale në Siri”, thuhet në njoftimin e Kremlinit.
Zgjedhjet presidenciale në Iran u mbajtën më 19 maj, ndërsa me 57 për qind të votave të fituara presidenti aktual Rouhani fitoi edhe një mandat në krye të shtetit.